Paketa e ndihmës amerikane nuk është “shkop magjik” për problemet e Kievit

schedule10:38 - 25 Prill, 2024

schedule 10:38 - 25 Prill, 2024

Paketa e re e ndihmës prej 61 miliardë dollarësh amerikane për Kievin do të ketë një ndikim pozitiv për ukrainasit në terren, por nuk është një “shkop magjik”, tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

“Ishte një rrugëtim i vështirë. Duhet të jetë më e lehtë. Duhet të ishte bërë më shpejt”, tha Joe Biden nga ana tjetër.

Presidenti amerikan sapo kishte miratuar një projektligj, i cili ishte debatuar në Kongres prej muajsh, dhe parashikon sigurimin e 61 miliardë dollarëve ndihmë ekonomike dhe ushtarake për Kievin.

“Është një moment i rëndësishëm”, por “vonesa ka kushtuar shumë,” tha Garrett Martin, një studiues në Universitetin Amerikan në Uashington.

Jake Sullivan ra dakord.

“Do të duhet kohë për të dalë nga kjo situatë e krijuar pas gjashtë muajsh pritje”, tha ai gjatë një konference për shtyp.

Ai paralajmëroi se “Rusia ka të ngjarë të shënojë fitore të tjera gjatë javëve të rdhshme”, me Kievin që pret një tjetër ofensivë ruse.

“Rruga përpara nuk është e lehtë”, por “ne besojmë se Ukraina mund dhe do të fitojë,” shtoi Sullivan, duke refuzuar të specifikojë se çfarë do të llogaritet si një fitore për Kievin.

Raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS

Përveç paketës ekonomike, SHBA vendosi të ofrojë armë më të avancuara për Ukrainën. Ata kanë filluar, në mënyrë diskrete, t’u dorëzojnë ukrainasve raketa me rreze të gjatë ATACMS dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë.

Ukraina përdori për herë të parë raketat ATACMS kundër Rusisë në tetor, por ato që ka marrë tani kanë një rreze më të madhe, deri në 300 km.

“Do të bëjë një ndryshim”, por vetëm pajisjet nuk do të zgjidhin gjithçka,” theksoi Sullivan.

Për më tepër, ka diçka që kjo ndihmë nuk mund ta bëjë, e cila është të zgjidhë problemin e mungesës së ushtarëve me të cilin përballet Ukraina, vlerësoi Martin, megjithëse ai vuri në dukje se miratimi i ndihmës nga SHBA mund të rrisë moralin e trupave ukrainase.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, çështja e rekrutimit u diskutua midis Biden dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Ukraina po përballet me mungesë të ushtarëve vullnetarë pas më shumë se dy vitesh luftë kundër Rusisë.

Kievi dëshiron të zgjerojë rekrutimin, duke ulur moshën e ukrainasve që mund të shërbejnë në ushtri nga 27 në 25 vjeç. Vendi nuk do të lëshojë më pasaporta jashtë vendit për burrat e moshës 18 deri në 60 vjeç, sipas një njoftimi të qeverisë ditën e djeshme.

Roli i europianëve

Maks Bergman, drejtor i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), theksoi se ndikimi i ndihmës amerikane do të varet pjesërisht edhe nga qëndrimi i europianëve.

Ata “duhet të rrisin prodhimin e pajisjeve, për të adresuar boshllëkun që SHBA-ja do të linte nëse ndihma e SHBA-së do të ndalonte krejtësisht, për shembull në rast të fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Sipas Bergman, Ukraina në vitin 2024 do të duhet të “ruajë pozicionet e saj, të lodhë forcat ruse, të rindërtojë dhe rivendosë forcat e veta dhe aftësitë e mbrojtjes civile përpara se, në një moment, të kalojë në kundërsulm në 2025.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!