Ndërkohë, që na ndajnë vetëm pak orë nga fillimi i procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare në Greqi, gazetarja e ABC Neës, Linda Karadaku raporton nga Larisa se komuniteti shqiptar në vendin fqinj mbështetin partitë e majta.
Sipas saj, arsyeja kryesore përveç bindjeve politike, është sepse 7 nga kandidatët shqiptarë në këto zgjedhje kandidojnë për partitë e majta.
Sakaq, Karadaku thotë se shqiptarët në Greqi hasen me dy probleme të mëdha prej tre dekadash tashmë, atë të dokumentave dhe pensioneve, pasi shumica punojnë në të zezë.
“Këtu në Larisa kemi biseduar dhe me qytetarët shqiptarë, një pjesë e të cilëve kanë shumë vjet që jetojnë këtu, pothuajse tre dekada dhe që tashmë kanë biznesin e tyre, edhe problemet kryesore që përballen ata. E para, zgjatja shumë në kohë e marrjes së dokumentave greke. Kemi biseduar me qytetarë të cilët kanë aplikuar që në vitin 2001 dhe nuk i kanë marrë ende.
Problemi i dytë që shpesh del i pari, duke pasur parasysh edhe numrin e madh të emigrantëve shqiptarë në Greqi, është ai i pensioneve, sepse siç e kemi thënë kanë punuar në të zezë dhe ky duhet të jetë një problem i madh. Ajo që ne i kemi pyetur specifikisht janë zgjedhjet e së dielës dhe nga shkon elektorati shqiptar, këtu në Greqi. Edhe pjesa më e madhe na kanë thënë që votat e tyre do të shkojnë për të majtën, jo vetëm për shkak të bindjeve, po sepse 7 nga kandidatët shqiptarë në këto zgjedhje kandidojnë për partitë e majta. Kështu që do të ishte një votë e natyrshme për ta, për të mbështetur komunitetin shqiptar këtu”, u shpreh ajo./abcnews.al