Nuk ka vend të Europës, ku fëmijët kanë kaq shumë dëshirë të bëhen futbollistë se në Shqipëri. Gjithsesi, sistemi zinxhir ka probleme me infrastrukturën, me përzgjedhjen dhe me kohën e humbur rrugëve, siç e tregon kronika në ABC News.
Nga këtu fillon e ardhmja. Në terrenet sportive të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, qindra e mijëra fëmijë e të rinj, ushtrohen thuajse çdo ditë për të realizuar ëndrrën, të bëhen futbollistë profesionistë.
E ardhmja ende nuk ka mbërritur, por e tashmja mund të quhet krizë, me fare pak lojtarë të gatshëm për kombëtaren, që dalin nga sistemi i ekipeve zinxhir. Sokol Bulku, ish-lojtar i Tiranës, trajner në Akademinë e Kompleksit të Kamzës, ka këtë vërejtje.
“Ka ndryshuar sepse është rritur masiviteti dhe dëshira për t’u marrë me sport dhe futboll. Ndërsa për keq unë mendoj se janë shkëputur disa hallka të atij sistemi kur kemi filluar dhe ne sportin. Hallka kryesore që është shkëputur është seleksionimi. Kryesoja është te masiviteti. Po shkuam kështu ku ata që janë poshtë shkojnë lart pa asnjë lloj përzgjedhje dhe atëherë do kemi probleme. Dhe probleme kemi sepse nuk po hasim shumë talente nga vendi”, tha Bulku.
Komplekset e futbollit po ndërtohen në periferi. Trafiku në Tiranë mbetet i rënduar, sa ndikon kjo tek jeta normale e futbollistëve të vegjël dhe të rinj?
“Je larg qytetit, ambient i pastër, por sjell edhe pasoja për kohën që kanë këta fëmijë sepse janë edhe në shkollë dhe në futboll dhe harxhojnë shumë kohë për të ikur larg. Duhet të kenë transport të organizuar dhe nuk u ngel shumë kohë për të mësuar”, tha Bulku.
Albi Subashi është një nga djemtë që prej 11 vitesh ndodhet në futbollin e moshave. Ai flet për gjendjen dhe sakrificat që ka bërë Arbeni, babai i tij.
“Fillimet e karrierës kanë qenë pak të vështira pasi nuk kishte shumë kushte të mira. Sakrificat e babit që më ka ndihmuar për të vazhduar. Tani gati-gati po bëhen sa më mirë kushtet. Unë për vete jam i kënaq, tani të shohim ça do bëjmë në të ardhmen”, tha Albi.
Infrastruktura është problemi numër 1. Jo më kot, presidenti i Federatës, Duka, theksoi pak kohë më parë, për ABC News se qeveria duhet të bëjë 200 fusha. Ledio Pano, ish-lojtar i Partizanit dhe kombëtares, është sot trajner i futbollit të moshave, dhe thekson pikërisht këtë mungesë.
“Vitet e fundit me prishjen e shumë fushave, duke u bërë beton sporti ka humbur shumë. Partizani deri në 2007-2008 ka nxjerrë shumë lojtarë nga akademia e saj pasi kishte një klub me disa fusha dhe jo vetëm një fushë. Aty zhvillonin stërvitje mbi 200 fëmijë. Në këto 200 fëmijë dolën ata futbollistë që kanë dalë”, tha Pano.
Një fëmijë që dëshiron të bëhet futbollist profesionist është një kënaqësi, një shqetësim dhe një barrë financiare për familjet. Adriatik Çarçani është një prind, djali i të cilit luan për Partizanin.
“Ka që në moshën 6 vjeç, deri në moshën 17 vjeç. Pra ka 11 vjet që luan. Vështirësia dihet si e çdo prindi. Pagesat, kushtet. Në vit mund të shkojë në 2 milionë lekë. Që nga uniformat, pagesa, fugoni që vjen këtu. Nuk është se shkëlqejmë te mësimet, se normal që të merr kohë stërvitja, por që shkon te katër orë në ditë vetëm për këtë punë”, tha ai.
Për sa i përket pagesë, Ledio Pano flet nga këndvështrimi tjetër, ai i klubit.
“Gjendja ekonomike sigurisht që ndikon në ardhjen e këtyre fëmijëve nëpër ekipet cilësore. Kjo pagesë për mendimin tim është minimale me atë çfarë kërkojnë këto talente. Flasim gjithmonë për talentin sepse jo të gjithë luajnë futboll”, tha Pano.
Pano thotë se ndodh që bëhen dallime, për ata që nuk kanë dhe që janë talente, pra mund të paguajnë më pak, apo ndodh që nuk paguajnë fare. Ka shumë dyshime dhe akuza për padrejtësi në punën e trajnerëve, por trajneri Sokol Bulku ka gjithashtu vërejtje për rolin e prindërve.
“Duhet t’ia lejnë të gjitha kompetencat trajnerit, drejtorit dhe akademisë e të mos ndërhyjnë sepse dashje padashje ata bëhen pengesë edhe në edukimin e fëmijës në sport. Kjo ndoshta shtohet në momentin kur fëmijë nuk është i aftë që të paraqesë aftësitë e veta dhe fillojnë dhe dalin këto lloj pretendimesh”, tha Bulku.
Sidoqoftë, problemet tek futbolli i moshave janë tepër të mëdha, dhe vështirë se mund të zgjidhen në një të ardhme të shpejtë./abcnews.al