Ndërsa foli për ndihmën e dhënë hebrenjve, nga SHBA Rama solli edhe një herë në vëmendjen ndihmën e dhënë ndaj muxhadinëve, për të cilët tha se Shqipëria pagoi një cmim të shtrenjtë duke i strehuar, por edhe ndaj afganëve.
“Në këtë luftë të përbashkët kundër terrorizmit, kundër antisemitizmit, radikalizmit dhe të gjithë të këqijave të botës ku jetojmë, Shqipëria qëndron e vendosur krah gjithë atyre që nuk janë gati të harrojnë mësimet e rënda të historisë dhe as të jetojnë nga e para një të kaluar që i ka kushtuar dhimbjet më të tmerrshme njerëzimit.
Të parët tanë na mësuan vlerën e të qëndruarit krah hebrenjve duke vënë jetët e tyre në rrezik për t’i mbrojtur nga kasapët e Luftës së Dytë Botërore dhe, po ashtu, i mësuan botës se ishte veç nder të ishe mysliman e të strehoje në shtëpi hebrenjtë, të ishe i krishterë e të bëje të njëjtën gjë, të jesh thjesht njeri kur të tjerë njerëz në rrezik kanë nevojë për ndihmën tënde. Me çfarëdo çmimi.
Me të njëjtën frymë iu dhamë strehë mijëra refugjatëve iranianë, jeta e të cilëve rrezikohej çdo ditë në Kampin “Liberty” në Irak, ku sulmoheshin e iu merrej jeta nga vrasësit e Teheranit. Vende më të mëdha e më të forta europiane nuk deshën t’i ndihmonim dhe ne paguam një çmim të shtrenjtë mikpritjen për ta, pasi regjimi totalitar i Teheranit u angazhua në një agresion kibernetik masiv kundër Shqipërisë, i cili synonte të zhdukte gjithë infrastrukturën tonë digjitale të shërbimeve publike.
Po ne nuk u hoqëm dorë dhe nuk do të heqim dorë nga zotimi për t’i strehuar ata njerëz në vendin tonë për aq kohë sa është e nevojshme, sepse mikpritja jonë nuk ishte dhe as është e lidhur me ndonjë qëndrim politik kundër Iranit, por vetëm me bindjen humanitare të gdhendur në shpirtin tonë si komb.
U detyruam t’i përgjigjeshim sulmit brutal të regjimit iranian duke ndërprerë marrëdhëniet tona diplomatike dhe duke përzënë personelin e tij diplomatik nga vendi ynë, por e përsëris se iranianët në Shqipëri janë në besën tonë, ashtu siç qenë hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Teheranit do i duhet ta flejë mendjen, se nuk ka shanse që t’i dorëzojmë ndonjë prej tyre regjimit. Nga ana tjetër, ne nuk i inkurajojmë miqtë e strehuar tek ne në asnjë aksion politik që përdor si platformë Shqipërinë.
Së fundi, u desh t’u hapnim dyert edhe mijëra afganëve, jetët e të cilëve u gjendën befasisht në rrezik nga rënia e Kabulit. Ishte vërtet e sikletshme të shihje si më të mëdhenjtë e të pasurit mes anëtarëve europianë të NATO iu shmangën detyrimit më të natyrshëm njerëzor për t’i shpëtuar ata pasi ne lamë vendin e tyre.
Ata i besuan ëndrrës që iu shitëm me plot fjalë të bukura, liri, demokraci, të drejtat e grave, media e lirë e kështu me radhe dhe u ekspozuan me gjithë zemër duke punuar me ne në Afganistan si qytetarë të lirë dhe për ne si shoferë, pastrues, përkthyes, teknikë. Por, befas, ne ndryshuam mendje. I lamë armiqtë e tyre të rimerrnin pushtetin dhe premtimet tona të bukura nuk kishin më asnjë vlerë në errësirën e vetmisë së tyre tmerruese.
Në fakt, nuk i takon Shqipërisë të thotë nëse duhej të qëndronim apo të iknim. Jemi shumë të vegjël për vendimet e mëdha të aleancës sonë. Por shpirtin e kemi shumë të madh për të mos e parë dëshpërimin e atyre afganëve si dëshpërimin tonë kur ishim nën sundimin e talebanëve tanë të kuq.” vijoi Rama.