BRITANI E MADHE– Është arrestuar në Manchester, Lorenc Lala 48 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.
Lorenc Lala ishte shpallur në kërkim në zbatim të vendimit të vitit 2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan (dosje e kaluar pranë SPAK), e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:
-Vrasje për arsye gjakmarrjeje”,
-Sigurimi i mjeteve dhe kushteve për kryerjen e vrasjes”,
-Grup i strukturuar kriminal”, në formën e veçantë të bashkëpunimit,
-Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Vrasja në Peqin e Albi Bashaliu dhe roli i të arrestuarit
Shtetasi Lorenc Lala dyshohet se ka pasur rolin e organizatorit dhe financuesit të kësaj vrasjeje, si dhe ka siguruar mjetet dhe kushtet për kryerjen e saj. Po ashtu, pas ngjarjes, ka ndihmuar në transportimin dhe largimin e autorëve nga vendngjarja.
Drejtësia shqiptare e akuzon Lorenc Lalën për përfshirje në vrasjen e Albi Bashaliut në fshatin Gjocaj të Peqinit, vrasje e kryer kundrejt 50 mijë eurove dhe pagesa sipas hetimeve është dhënë tek Laert Haxhiu nga Lorenc alias Kristian Lala.
Sipas rrëfimit të bashkëpunëtorit të prokurorisë Artan Tafani, vrasjen e Bashaliut e ka kryer ai së bashku me Lulzim Arapin, Bledar Berberin, Enrico Xhahysën dhe Laert Haxhiun.
Shuma financiare është paguar nga Lala tek Laert Haxhiu i cili më pas ka mobilizuar grupin e tij për të kryer vrasjen/ abcnews.al