Pagesat e para në sistemin europian të pagesave do të nisin në 7 tetor të këtij viti. Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA do t’i ofrojë qytetarëve dhe bizneseve mundësinë e kryerjes së transaksioneve me komisione disa herë më të ulëta nga ato që realizojnë aktualisht.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Luljeta Minxhozi, zëvendësguvernatore e Bankës së Shqipërisë foli për rëndësinë e pagesave me SEPA, duke thënë se ky është një moment i rëndësishëm për sistemin e pagesave.
Gjithashtu gjatë intervistës, nënvizoi se në këtë mënyrë përfitohen transaksione të shpejta dhe me kosto të ulët.
“Në një moment shumë deciziv të kurorëzimit me sukses të të gjitha përpjekjeve që Banka e Shqipërisë ka bërë për të arritur këtë stad të zhvillimit të sistemit të pagesave duke e pajisur në fillim këtë sistem me një ligj europiane një transpozim të direktivës europiane PSD2 në vitin 2017 dhe më pas fillimi i përpjekjeve për ta materializuar këtë ligj. Që nga nëntori i vitit të kaluar Shqipëria është bërë anëtare e SEPA-s. SEPA është një organizatë që quhet zona unike europiane e pagesave një sistem institucional që rregullon, kontrollon dhe vëzhgon të gjitha sistemet e pagesave. Kështu që përpara datës 20 dhjetor, 21 nëntor të vitit të kaluar Banka e Shqipërisë ka bërë një përpjekje shumë të madhe për të harmonizuar dhe për të treguar këtë harmonizim të të gjitha sistemet e pagesave, të gjithë legjislacionit që rregullon sistemin tonë të pagesave me direktivën europiane të psd2. Nëntori i vitit të kaluar ishte moment shumë i rëndësishëm sepse juridikisht, ne jemi anëtarë të zonës SEPA. Ajo që po bëjmë si hap të dytë është operacionalizimi i të gjitha aktiviteteve tona të pagesave në kohë reale dhe të shfrytëzojnë të gjitha bizneset të arrijnë të kryejnë këto transaksione. Duhet përpjekja e të gjitha institucioneve për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë, për të kryer transaksione të shpejta e të sigurta. Kjo është hapi i parë në njëfarë mënyrë që Shqipëria po bën drejt integrimit të tregjeve europiane duke u integruar në tregun europian të pagesave”, tha ajo.
/abcnews.al/

