Pagat e prapambetura të Vllaznisë, Kadija: Bashkia manipulon të vërtetën

schedule16:13 - 27 Mars, 2020

schedule 16:13 - 27 Mars, 2020

Situata te Vllaznia është e vështirë. Futbollistët dhe stafi teknik presin të marrin rrogat e prapambetura, aq të nevojshme në këtë periudhë të vështirë. Kryetarja e Këshillit Bashkiak të qytetit më të madh verior, Brisela Truma Kadija ka sqaruar situatën me anë të një reagimi në rrjetet sociale.

Në cilësinë e kryetares së Këshillit Bashkiak Shkodër dhe si përfaqësuese e vullnetit të tij, e ndjej të domosdoshme të sqaroj publikisht qytetarët e Shkodrës dhe punonjësit e KF Vllaznia sh.a në lidhje me shqetësimin e ngritur nga Bashkia Shkodër për pagesat e palikuiduara të punonjësve të këtij klubi sportiv. Fillimisht më duhet të theksoj që Këshilli Bashkiak Shkodër vazhdon të ndjekë me përgjegjshmëri maksimale situatën, shqetësimet dhe problematikat e gjeneruara si rezultat i pandemisë COVID-19, sigurisht të ndjekë dhe të marrë në konsideratë edhe ushtrimin e vijimësinë e aktivitetit të tij.

Asamblea e KF Vllaznia sh.a kishte planifikuar për të zhvilluar mbledhjen e saj të radhës në datën 10.03.2020 pas një mbledhje të parealizuar me datën 05.03.2020, në të cilën kishte si rend dite:
Miratimin e projekt/vendimit “Për miratimin e buxhetit të shoqërisëpër vitin 2020
Disa shtesa të rendit të ditës të propozuar nga anëtarët e Asamblesë.

Mbledhje e cila nuk u zhvillua për shkak të VKM që anulonte çdo veprimtari ose tubim, duke përfshirë këtu edhe mbledhjet e organeve kolegjiale, në menyrë që të pengohej përhapja e pandemisë së Covid-19. Duke iu rikthyer shqetësimit në fjalë duhet të themi se problemet e K.F Vllaznia janë tërësisht organizative. Duhet që kryetarja e bashkisë / Asambleja e mëparshme (fraksioni përjashtues vjen për shkak të vakumit ligjor) të kishte zgjedhur Këshillin Mbikqyrës që në Dhjetor të 2018, gjë të cilën nuk e ka bërë.

Ne si Asamble aksionerësh na lind e drejta ligjore të mos pranojmë të na sillet për diskutim një buxhet, i cili më parë nuk ka kaluar në një shqyrtim të Këshillit Mbikqyrës. Buxheti i planifikuar për KF Vllaznia sh.a në Buxhetin 2020 të Bashkisë është në vlerën 40 milion lekë. Ndërsa buxheti i sh.a që miratohet nga Asamblea e aksionerëve përfshin edhe zëra të tjerë të ardhurash dhe mbi të gjitha, ka pasoja kontraktuale që janë përtej përgjegjësive tona, janë marrëdhënie që nxjerrin penalitete të rënda ekonomike dhe morale për shoqërinë në fjalë.

Për këtë arsye ekziston Këshilli Mbikqyrës për të mbikqyrur zbatimin e politikave të rregullta dhe korrekte tregtare. Është detyrë e Këshillit Mbikqyrës që të sjellë në Asamble një buxhet të Sh.a.Vllaznia në mënyrë që më pas të shtrohet për diskutim. Sidoqoftë duke dashur të sqaroj publikun e gjërë më duhet të them që situata në të cilën ndodhemi është e pazakonte, dhe në këto kushte Bashkia Shkodër nuk po tregohet transparente për të sqaruar të vërtetën të cilën vazhdon ta manipulojë dhe t’ua hedhe fajin të tjerëve, padyshim për arsye politike.

Nga sa më sipër na lind e drejta të parashtrojmë disa pyetje, kryetares së bashkisë, që sigurisht duhet të marrin përgjigje: qoftë për të sqaruar publikun e gjërë, qoftë edhe për ti dhënë një sqarim teknik dhe jo politik çështjes. Me vendimin nr.1, datë 6.2.2020 keni vendosur shtyrjen e afatit dhe emërimin e anëtarit të ri të Këshillit Mbikqyrës të Sh.a.K.F.Vllaznia

Kjo vendim-marrje përbën tejkalim/mbivendosje të kopetencave me funksionet e Asamblesë së Përgjithshme, e cila bazuar në ligjin nr.9901, datë 14.8.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritëe tregtare”, por dhe në nenet 21 dhe 23 të statutit të shoqërisë (të cilat ju i citoni si bazë ligjore në vendim-marrjen tuaj), ka kopetencë të zgjedhë vetë Këshillin Mbikqyrës.

Nëse në vlerësimin tuaj vendim-marrja e sipërcituar është e drejtë, a keni dijeni nëse ky Këshill Mbikqyrës ka një raport apo vlerësim paraprak, i cili është detyrim ligjor, mbi projekt buxhetin e shoqërisë, të paraqitur nga Administratori i Vllaznisë, por pa asnjë dokument shoqërues të firmosur nga Këshilli Mbikqyrës?

Cila është baza ligjore e shtyrjes së afatit të 4 anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës? A ka patur ndonjë vlerësim përformance në punë të këtyre anëtarëve për të cilët është vendosur shtyrja afatit? Nese ka patur, a i është vënë në dispozicion, të paktën si informacion edhe për transparencë Asamblesë së Përgjithshme? Në këtë vendim është miratuar dhe një antar i ri. Cila është proçedura e ndjekur për emërimin e këtij anëtari dhe a është vënë në dijeni paraprakisht Asambleja për këtë kandidaturë?

Në vendimin e shtyerjes së afatit dhe emërimin e anëtarit të ri të Këshillit Mbikqyrës të Shoqërisë, keni firmosur në cilësinë e përfaqesuesit të Aksionerit të Vetëm të Shoqërisë (Bashkia Shkodër)? Në keto kushte, nëse ju jeni përfaqësues i aksionerit të vetëm, cili është Roli i Asamblesë në vijim? Nëse Bashkia si ortak i vetëm përfaqësohet nga ana juaj, atëherë kompetencat e Asamblesë bien, pasi ato funksione kryhen nga vetë ortaku i vetëm që është Bashkia Shkodër, e përfaqesuar nga ju.

Këshilli Bashkiak, dhe pse i majtë, ka treguar përgjegjshmëri maksimale në vendimarrjen e tij dhe ka qenë konseguent dhe konstant në qëndrimin e tij, duke vënë prioritet kryesor dhe duke mbështetur çdo projekt në të mirë të qytetit të Shkodrës dhe qytetarëve të saj.

Duke qënë se VKM, që ndër të tjera ndalon edhe mbledhjen e organeve kolegjiale, vazhdon të jetë në fuqi, Këshilli Bashkiak Shkodër është duke punuar dhe duke vënë në veprim, komunikimin online dhe zhvillimin online të mbledhjeve të këshillit. Një mbledhje e tillë, dhe jo vetëm, do të realizohet shumë shpejt duke qënë se ka çështje shumë emergjente, për tu diskutuar, të cilat na i ka imponuar situata e pandemisë se Covid-19”.

Pa dashur t’i shmangemi përgjegjësive tona institucionale, në një situatë të tillë si kjo që po kalon vendi jonë rekomandojmë secilin të përqendrohet në këshillat që institucionet japin për tejkalimin e kësaj situate, të qëndrojë në shtëpi dhe të bëjë më të mirën për ato që ka pranë”, përfundon kryetarja e Këshillit Bashkiak të qytetit të Shkodrës. /Brisela Kadija, Facebook

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!