S’ka rritje pagash për gjyqtarët e prokurorët pa folur Parlamenti. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu në një konferencë për shtyp, paralajmëroi se zgjidhjen përfundimtare të ngërçit me pagat e drejtësisë do ta zgjidha me urgjencë parlamenti me ligj te ri duke filluar nga e marta që çel sesionin e ri.
“Të them troç dhe qartë. Përgjegjshmëria ndaj buxhetit të shtetit dhe zbatimi i GJK nuk janë në luftë, kërkojnë të njëjtën gjë, autorizimin e qartë ligjor për ta zbatuar. Këtu na është krijuar problemi, tek boshllëku ligjor. Boshllëku ligjor shkaku. Sesioni nis të martë, ky boshllëk ligjor do të plotësohet. Dëshira ime është të bëhet shpejt, sa më mirë, të plotësohet tërësisht.
Ndaj zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen, është në Kuvend ditët në vijim, do jenë ditë pune, ditë intensive. Mos ushqejmë konflikt. Ky do jetë drejtimi ynë, detyra ime si MD. Për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje, apo moskuptim, njëherë e përgjithmonë.”, u shpreh ai.
Gogu shpjegoi edhe përplasjen e fundit që ka ndodhur me pagat e gjyqtarëve e prokurorëve me Degën e Thesarit të Ministrisë së Financave. Sipas ministrit, homologu i tij Petrit Malaj është në pamundësi për të kaluar pagat për shkak të këtij boshllëku ligjor.
“Për qytetarët që ndoshta e kanë dëgjuar, nuk kemi arritur këtu, se dikush kërkoi më shumë dhe dikush dha më pak. Na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratëve, të cilën GJK e shfuqizoi. Në mungesë të kësaj formule, të autorizimin ligjor, ministri i financave është në pamundësi për të zbatuar vendimin e GJK, kjo mospërputhje të plotësohet tërësisht atje ku ka vendin, ku ka caktuar, Në kuvend me ligj. S’do kemi ekuivok.”, tha Gogu.
Një apel të fundit, Gogu e kishte dhe për gjyqtarët e prokurorët që pas skadimit të afatit të zbatimit të vendimit të GJK, vendosën ti rrisin pagat vetes dhe kanë përalajmëruar se do e padisin qeverinë.
“Nuk kam koment, jo se skam mendim për të. Gjyqtarët nuk kanë hezituar ta marrin çështjen e tyre në duart e tyre, por unë mendoj që procesi gjyqësor kërkon vetpërmbajtje që e kërkon dhe procesi ligjvënës. Ashtu siç respektohet procesi gjyqësor, unë e respektoj, ashtu respektoj edhe procesin ligjvënës. Ligjet bëhen në kuvend, vendimet e GJK vendosen në Kuvend, mosmarrëveshjet zgjidhen në gjykatë.”, shtoi ai.
Prej kohësh gjyqtarët e prokurorët kanë kërkuar rritje pagash, me në krye KLGJ dhe KLP. Madje çështja shkoi edhe në Gjykatën Kushtetuese. Në shkurt të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ia la në dorë Kuvendit të vendosë për pagat e tyre.
Kuvendi nuk arriti dot një skemë të re brenda afatit të zbatimit të vendimit të GJK. Ndaj dhe KLGJ dhe KLP vendosën ti rrisin vetë pagat, në masë 41%. Me rritjen që gjyqtarët e prokurorët i caktuan vetes, do të thotë se një gjyqtari e prokurori të thjeshtë i rritet paga nga 156 mijë e 800 lekë të reja në 236,425 lekë të reja në muaj, bashkë me rritjen dhe shtesën për nivelin e kualifikimit.
Kurse për një gjyqtar të lartë apo kushtetuese, dhe prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm, paga shkon nga Rreth 300,000 – 350,000 lekë., në 420,000 deri në mbi 480,000 lekë të reja.
Një vetë-rritje pagash, të cilën qeveria me kryeministrin Edi Rama e kanë kundërshtuar, por tani do të jetë në dorë të parlamentit për të vendosur pagën e ardhshme të prokurorëve e gjyqtarëve.
/abcnews.al/

