Paga dhe klauzola, si po shkojnë tratativat Milan-Donnarumma

schedule12:37 - 14 Nëntor, 2020

schedule 12:37 - 14 Nëntor, 2020

Milan dhe Gianluigi Donnarumma janë gjithmonë e më afër arritjes së një marrëveshjeje për rinovimin e kontratës. Sipas raportimit të “CalcioMercato.com”, në orët e fundit është zhvilluar një takim mes palëve dhe po bëhet maksimumi për të gjetur gjuhën e përbashkët.

Dëshira e lojtarit tashmë dihet, pasi Giggio e ka shprehur shumë herë se dëshiron të kthehet në një simbol të klubit. Negociatat mes drejtuesve kuqezinj dhe agjentit të portierit, Mino Raiola, po vazhdojnë normalisht. Deri më tani oferta e Ivan Gazidis është 6.5 milionë euro plus bonuset, ndërsa Raiola kërkon 7.5 milionë euro neto.

 

Në fakt është dhe një pikë tjetër në kontratën e re që palët nuk po bien dakord. Agjenti i 21-vjeçarit kërkon të vendosë një klauzolë që lidhet me kualifikimin e Milanit në Champions League. Në rast se të besuarit e Stefano Piolit nuk arrijnë dot ta mbyllin kampionatin në një nga vendet e para, atëherë Giggio mund të largohet në fund të sezonit.

Paolo Maldini dhe Frederic Massarra nuk janë dakord në këtë pikë, pasi nuk dëshirojnë të ndërmarrin këtë rrezik me një nga lojtarët kryesorë të ekipit. Gjithsesi situata është pozitive për momentin dhe gjërat po shkojnë mirë. Rezultatet e mira të Milanit po luajnë rol të mirë në tratativa dhe mendohet se për Krishtlindje gjithçka do të finalizohet. /abcnews.al