Padia për gradat e policëve, Gjykata Administrative shpall moskompetencën

schedule15:49 - 26 Dhjetor, 2018

schedule 15:49 - 26 Dhjetor, 2018

Gjykata Administrative shpalli moskompetencë për kërkesë-padinë e bërë nga sindikata e Policisë së Shtetit që kërkonte të njihej e drejta e fituesve të gradës “Komisar” në konkursin e zhvilluar më 7 Nëntor. Ky konkurs u anulua disa ditë më pas me një urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Gjykata Administrative ka shpallur moskompetencë për kërkesë-padinë e bëra nga sindikata e Policisë së Shtetit që kërkonte të njihej e drejta e fituesve të garës për gradat “Komisar” të mbajtur më 7 Nëntor. Në vendimin e gjykatës, të siguruar nga ABC News,  thuhet se, ky institucion ka vendosur shpalljen e moskompetencës funksionale dhe e dërgon dosjen gjyqësore në Gjykatën Administrative të Apelit.

Kreu i policisë së Shetit, Ardi Veliu kishte udhëruar anulimin e testimit, por nuk kishte dhënë shpjegime për vendimin e tij, duke ngritur dyshime te konkurentët fitues.  Ndërkohë për të njëjtën çështje, u depozituan në Prokurorinë e Tiranës shumë ankesa  nga konkurentët e gradave “Kryekomisar” lidhur me parregullsi ne konkursin e zhvilluar edhe në 12 Nëntor.

Prokuroria  e Tiranës kërkoi shpjegime nga numri një i policisë Veliu, zëvëndsa e tij, Aida Hajnaj si edhe nga kreu i akademisë së Sigurisë Bilbil Mema për mënyrë se si u krye testimi. Sipas pretendimeve të aplikantëve, të cilët kanë bërë kallëzimin në prokurori, ata pohojnë se rregullorja për gradën “Kryekomisar” ndryshoi formatin e testit pak minuta para nisjes së konkursit.

Verifikimi ka nisur në bazë të nenit 248 të Kodit Penal për “shpërdorim detyre”, ku disa nga konkurentët dyshohet se janë favorizuar e disa të tjerë kanë paguar për të fituar në dy konkurset e zhvilluara për gradat “Kryekomisar” dhe “Komisar”, në datat 7 dhe 12 Nëntor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!