Gazetari dhe botuesi Carlo Bollino, depozitoi sot një padi në gjykatën e Tiranës ndaj një media online. Ndonëse nuk dha emrin e medias, ndaj të cilës ka ngritur padi, Bollino tha në një prononcim për mediat, se gjithcka është e dokumentuar në dosjen prej 100 faqesh të cilën sot e dorëzoi pranë gjykatës dhe synim është ‘lufta’ ndaj atyre që Bollino i konsideroi si ‘vrasës mediatikë’.
Në prononcimin e tij të shkurtër për mediat, Bollino tha se ky fenomen duhet të marrë fund dhe për këtë ka zgjedhur të ndjekë rrugën ligjore.
“Jo rastësisht nuk po përmend para jush median, se në fakt as media dhe as botuesi nuk është,thelbi, por ne po flasim për një fenomen. Nuk është e rëndësishme të them këtu emër, që natyrisht është brenda padisë, por për një fenomen që unë e quaj” killer mediatik”.
Në rastin konkret është financuar nga e majta dhe e djathta, pra nga ministrat në fuqi dhe nga ish-ministrat socialistë dhe nga përfaqësuesit e ‘Foltores’ dhe disa eksponentë të opozitës, që paguajnë media të caktuara për të sulmuar ose gazetarë ose biznesmenë edhe politikanë, por mua nuk më intereson shumë të mbroj politikanët. Unë jam në qendër të një sulmi 7-vjeçar dhe jam gazetar relativisht i njohur, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë ndaj një qytetari të thjeshtë”, tha Bollino ndërsa theksoi se mjeti I vetëm për të luftuar ndaj këtij fenomeni është shteti.