“Padia ndaj Blinken, thjesht një shashkë”, juristi: Pse çështja Berisha është e mbyllur për amerikanët?

schedule11:57 - 5 Maj, 2023

schedule 11:57 - 5 Maj, 2023

TIRANË- Juristi Romeo Kara thotë se Bashkimi Evropian do veprojë me të njëjtën gjatësi vale për të shpallur personat e kurruptuar “non grata”, njësoj siç ka bërë SHBA. Duke komentuar rastin Berisha, i cili tashmë është shpallur i padëshirueshëm nga SHBA për minim demokracie dhe korrupsion, Kara thotë se edhe evropianët nuk do të dalin kundër planeve të amerikanëve.

“Kemi fillimisht memorandumin Biden, i cili e vë gishtin tek Berisha si strumbullari dhe është simboli i rrënimit të demokracisë në Shqipëri. Në vitin 1990 kemi pasur demokraci në botë, por kemi pasur edhe rënie. U nis për demokraci, por përfunduam vende oligarkike. Korrupsioni në Shqipëri është kthyer në mënyrë jetese. Mendoj se ka unifikim të plotë që qëndrimi amerikan dhe evropian. Ata e kanë ndërtuar këtë sistem dhe Amerika është krijuesja e këtyre vlerave. Ata kanë pasur koordinimi në momentet e tyre historike. Ata kanë qenë kundër komunizmit, kundër terreorizmit, tani është koha për të qenë kundër korrupsionit”, tha ai.

Lidhur me padinë që Berisha bëri ndaj Antony Blinken në Gjykata Korreksionale në Paris, juristi tha se Berisha këtë hap e bëri thjesht për të hedhur një shashkë, pasi kjo gjykata tha ai nuk ka të drejtë të merret me vendimet e zyrtarëve amerikanë.

“Unë e kam thënë se gjykata Korreksionale e Parisit, nuk është gjykata e fshehur pas një mali dhe e nxori Berisha tani. Nuk ka të drejtë të merret me vendimet e zyrtarëve francezë, dhe jo më me ato amerikanë. Për ata ishte ta hidhte këtë shashkë, siç nisi foltoren dhe la në mes. Me këto zgjedhje mendon se do të krijojë disa ishuj anti-amerikanë. Nuk heq dorë nga ligësia e tij. Mua personalisht familja e tij më ka paditur tre herë për shpifje”, tha ai.

Çështja Berisha për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e mbyllur u shpreh juristi, ndërkohë shtoi se riciklimi i elitave politike në Ballkanin Perëndimor nuk mund të arrihet me instrumente politike, por vetëm ligjërisht, duke ndëshkuar pushtetarët e kurruptuar.

“Ne nuk duhet të dëgjojmë më Berishën. Berisha për amerikanët është çështje e mbyllur, për britanikët po, shumë shpejt do bëhet dhe për Evropën. Do jenë figurat kryesore nga Shqipëria dhe Bosnja, dhe më pas nga Mali i Zi. Qarkullimi i elitave është e vështirë të bëhet politikisht, por duhet të bëhet ligjërisht. Ata janë hajdutë ordinerë, që kanë vjedhur paratë publike dhe janë pasuruar në mënyrë të padrejtë”, tha ai./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!