Pacientët në infektiv paraqiten rëndë, mjekët: Trajtohen me receta nga të njohurit

schedule15:42 - 26 Janar, 2022

schedule 15:42 - 26 Janar, 2022

Nga Ema Shazivari

Familjarët e pacientëve të shtruar në infektiv shpenzojnë shuma të mëdha parash duke i trajtuar në banesa. Shpesh ky trajtim rezulton i gabuar duke i kushtuar edhe jetën.

Një qytetar tregon për ABC se ka sjellë babain e tij 70 vjeçar në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai thotë se e ka mbajtur në banesë për 3 ditë, me bombol oksigjeni. Shprehet se ka harxhuar rreth 30 mijë lekë vetëm për ilaçet.

Mbi 300 mijë lekë të reja ka shpenzuar edhe ky qytetar nga Durrësi për nënën e tij. Shprehet i penduar që e ka sjellë në spital pas dy javësh trajtim në banesë. Tashmë ka pak shpresa për jetën e saj, pasi ndodhet e intubuar.

Infeksionistja Esmeralda Meta, ngre shqetësimin se shumë pacientë paraqiten në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. kjo vjen për shkak të trajtimit të gabuar që marrin në banesë. Thotë se shumë pacientë trajtohen duke kopjuar recetat e të njohurve të tyre që kanë kaluar më herët COVID.

Muaji janar ka sjellë një rritje të ndjeshme të shtrimeve spitalore. Çdo ditë paraqiten mbi 20 pacientë, mes tyre ka dhe të rinj./abcnews.al