Punëtorët e rafinerisë së naftës së Ballshit protestojnë prej kohësh për shkak se nuk kanë marrë pagat e prapambetura.
Për këtë problem një përfaqësi e naftëtarëve mbërritën në Tiranë dhe u takuan me zv/ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, ku sipas tyre nga takim nuk morën ndonjë sinjal shpresëdhënës.
“Kompania ka detyrime ndaj nesh, kemi tre paga të prapambetura. Nuk do të tërhiqemi nga greva, kjo është e panegociueshme”, u shprehën naftëtarët.
Të njëjtën problematikë me pagat kanë edhe punonjësit e ujësjellëllësit të nënstacionit të Poçemit që është në varësi të uzinës së naftës dhe nuk paguhen prej 27 muajsh.
“Kemi 27 muaj pa u paguar, varemi nga firma që ka uzinën e naftës. Nuk kemi marrë asnjë lloj përgjigje, vetëm na mashtrojnë”, theksoi një prej naftëtarëve.
Pas takimit që zhvilloi me përfaqësinë e punonjësve të rafinerisë së Ballshit, zv/ministri I Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja u largua dhe nuk dha asnjë prononcim për mediat.
Në të njëjtën kohë që u zhvillua takimi 2 orësh në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë, pjesa tjetër e punonjësve të rafinerisë së Ballshit protestuan para prefektures së Fierit. Për sa kohë nuk do marrin zgjidhje për pagat e prapambetura, naftëtarët shprehen se do protestojnë madje dhe deri në grevë urie./abcnews.al

