Nga Erblina Mile
Fermerët që duan të përfitojnë naftë të lirë duhet të jenë të regjistruar dhe të kenë NIPT.
Ministrja e Bujqësisë Ermira Gjeçi, deklaron se aktualisht janë 47 mijë fermerë që janë të pajisur me NIPT dhe mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë.
Nafta e që do të merret nga fermerët shqiptarë do të jetë 50% më e lirë pasi do ti hiqen tre taksa.
“Fermerët që do përfitojnë do jenë të gjithë ata që kanë NIPT të fermerit që aktualisht në databaze tonë janë 47 mijë pretendojmë që të rriten numri i fermerëve”, u shpreh ajo.
Për të shmangur abuzimet është menduar që shpërndarja të bëhet direkt te fermeri.
Zv. ministrja deklaron se këtë radhë është vendosur të anashkalohet çdo hallkë e pushtetit vendor. Fermeri do të duhet të aplikojë individualisht dhe po ashtu të tërheqë kartën.
“Skemë e cila është e zhveshur ose minimizon mundësitë për të abuzuar me të pasi shkon direkt te fermeri. Kjo është e para pasi skema e vjetër kalonte nëpërmjet kryetarit të bashkisë. Fermeri vetë-deklaron sipërfaqen e tokës që e vërteton me dokumente dhe llojin e mbjelljeve që do të bëj”, tha ajo.
Pasi është tërhequr karta e cila do të jetë elektronike furnizimi i me naftë të lirë do të mund të bëhet në çdo pikë ku tregtohet karburant në vend.
“Do të pajisen me një kartë elektronike, me këtë kartën elektronike do të shkojnë në të gjitha pikat e karburantit që të mos ketë dallime dhe do marrin naftën që do u duhet për mekanikën bujqësore”, theksoi Gjeçi.
Ndërkohë përsa i përket aplikimit fermerët që nuk do të mund ta realizojnë individualisht do të asistohen në pika të veçanta të hapura për këtë skemë ose në drejtoritë e bujqësisë në rrethe.
Qeveria përllogarit që aplikimi i kësaj skeme do të nxisë formalizimin e fermerëve në një vit duke në 70 mijë shifrën, ndërsa kostoja në buxhet parashikohet të jetë rreth 10 milion dollarë, vetëm për vitin e parë.
/abcnews.al/