Banka OTP Albania përuroi të mërkurën degën më të re në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pranë kryqëzimit me rrugën Vaso Pasha.
Për të shënuar këtë moment të rëndësishëm u mbajt një ceremoni e prerjes së shiritit, moment që vjen dhe si një mesazh i qartë i synimit të OTP Bank Albania për zgjerim, forcim, dhe rritje të prezencës në treg.
Të pranishëm në ceremoni ishin drejtuesit e lartë të bankës, punonjës të saj dhe përfaqësues të politikës. Sipas drejtorit të përgjithshëm, Bledar Shella hapja e kësaj dege flagship merr kuptime në shumë dimensione në aspektin ekonomik dhe jo vetëm.
Gjatë së enjtes Banka OTP Albania mikëpriti Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Z. Péter Szijjártó. Ministri hungarez shprehu vlerësimin e tij për Bankën OTP dhe ndau besimet e tij për ndikim pozitiv të këtij grupi kudo ku ai gjendet dhe investon.
Péter Szijjártó, Ministër i Jashtëm dhe i Tregtisë në Hungari: Ne jemi shumë krenarë që OTP Bank është prezente edhe në Shqipëri. OTP Bank nuk është vetëm banka kryesore në Hungary por është gjithashtu edhe një prej kompanive kryesore. Në të gjitha vendet ku OTP Bank ka shtuar prezencën e saj, ka patur një ndikim pozitiv në marrëdhëniet ekonomike të atij vendi. Fakti që OTP Bank është banka e katërt në tregun financiar në Shqipëri, jep një impuls tepër pozitiv për kompanitë e tjera hungareze për të ardhur dhe për të investuar në këtë vend. Kështu, ne presim një rritje të numrit të kompanive hungareze që do të investojnë në tregun shqiptar.
Pas Hungarisë, me hyrjen në Shqipëri, OTP Bank aktualisht operon në 10 vende të tjera nëpërmjet filialeve të saj në: Bullgari, Kroaci, Rumani, Serbi, Sllovaki, Ukrainë, Malin e Zi, Moldavi, Slloveni dhe Rusi./ABC News Albania