Mbrojtësi i Tiranës, Tefik Osmani, ka dhënë një intervistë për PanoramaSport, ku ka treguar si po e kalon izolimin, jetën pa futboll, titullin kampion dhe rifillimin e kampionatit.
IZOLIMI – “Uroj që jo vetëm njerëzit e sportit, por gjithë shqiptarët ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë. Si të gjithë të tjerët edhe unë pranë familjes po qëndroj. Është shumë e vështirë për ne futbollistët nuk jemi mësuar të qëndrojmë kështu. Ama çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Po kënaqen fëmijët. Jemi çdo moment me ta dhe po e shijoj në shtëpi. I kam zhvilluar të gjithë lojërat që kam bërë fëmijë me dy çunat e mi”.
PA FUTBOLL – “Për ne futbollistët, thonë që vdesim dy herë. Një herë kur lë sportin dhe një herë kur të vjen nga Zoti. Mendoj që ky moment tani është sikur na ka rënë para-infarkt, por ne nuk jemi dorëzuar edhe kemi lëvizur, brenda orareve që ka vendosur Ministria e Shëndetësisë”.
FUTBOLL NË VERË? – “Vetëm le të nisë të luhet sa më shpejt. Nuk ka rëndësi muaji. Në Shqipëri janë kushtet në të gjitha stadiumet dhe mund të luash dhe ne orën 22:00”.
STËRVITJA – “E thashë dhe më lart. Kam dalë nuk mund të rrijë një futbollist i mbyllur në shtëpi. Jam në një moshë që e kuptoj dhe vet për çfarë kam nevojë kam bërë vrapime dhe xhiro me biçikletë dhe menjëherë brenda rregullores se nuk i dihet mos më vjen ndonjë gjobë”.
TITULLI – “Tiranën me sa e njoh unë nuk do të kënaqej asnjëherë me titullin në tavolinë. Por edhe po të vendosej kështu mendoj që e meriton. Me 9 pikë përpara nuk do të kundërshtonte njeri”, tha Osmani./abcnews.al