Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu është takuar me mbështetësin e madh të Kosovës, John Kerry, i Dërguar i Posaçëm Presidencial i Shteteve të Bashkuara për çështje klimatike dhe ish Sekretar i Shtetit.
Në takim mori pjesë edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervalla Schwarz.
“Presidentja Osmani ka falënderuar Kerry për angazhimin dhe përkushtimin e tij personal për të ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj të ecë përpara, që sot të gëzojë marrëdhënie unike dhe të pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidentja dhe Kerry diskutuan edhe për zhvillimet në Evropë dhe rajon si rezultat i agresionit rus në Ukrainë dhe përmendi përpjekjet e Republikës së Kosovës për t’i ardhur në ndihmë popullit ukrainas”, njofton presidenca.
Tutje, në njoftim thuhet se, presidentja Osmani theksoi rrezikun nga destabilizimi i rajonit nga satelitët e Rusisë dhe nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO si garancë më e mirë për paqe dhe stabilitet në rajon.
“Ajo ka vlerësuar përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve për fuqizimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se tani është edhe më e rëndësishme që të rritet përkrahja në procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare”, vijon njoftimi.
Duke e uruar Kerry në rolin e tij të ri si i dërguar i posaçëm i Presidentit Biden për ndryshimet klimatike, Presidentja Osmani ka vlerësuar se adresimi i efekteve të drejtpërdrejta të ndryshimeve klimatike kërkon qasje dhe udhëheqje transformuese.
“Pavarësisht politikave vendore dhe globale, ndryshimet klimatike nuk do të ndalojnë së ndodhuri. Është një nga sfidat më serioze të kohës sonë. Të flasim për ndryshimet klimatike nuk është temë luksoze, por ekzistenciale për të siguruar jetën e fëmijëve tanë. Kosova nuk është imune ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike. Andaj, Kosova me të drejtë kërkon të jetë pjesë e nismave globale për luftimin e ndryshimeve klimatike” ka thënë Presidentja. /abcnews.al/