Osmani: Serbia pengon zgjedhjet në Kosovë në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit

schedule12:36 - 24 Prill, 2023

schedule 12:36 - 24 Prill, 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke komentuar zgjedhjet në veri të vendit, ka deklaruar se institucionet e Kosovës i mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës.

Osmani, pas takimit me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka përgëzuar këtë institucion për përgatitjet e bëra, të cilat mundësuan realizimin e procesit të votimit për zgjedhje të jashtëzakonshme komunale në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit.

“Falënderoj poashtu të gjitha institucionet e sigurisë për punën profesionale, të cilat siguruan një ambient të qetë e të sigurt përgjatë procesit zgjedhor, i cili ishte shtyrë nga dhjetori 2022 për në prill 2023. Institucionet e Kosovës i mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës. Falënderoj të gjithë ata qytetarë që morën pjesë në votim, përkundër ndërhyrjes së paligjshme të Serbisë dhe strukturave të saj kriminale për ta pamundësuar një gjë të tillë.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve kriminale, shumë qytetarë serb të këtyre komunave u kërcënuan dhe u shantazhuan me qëllim që mos të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe kësisoj të mos mund ta shprehin vullnetin politik për t`i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal. Ndërhyrja nga jashtë në procese zgjedhore është një problem global për botën demokratike, e cila jo vetëm që mëton ta minojë vullnetin qytetar, por edhe cenon parimin e barazisë sovrane të shteteve, si një nga normat themeltare të rendit ndërkombëtar”, theksoi ajo.

Sipas Osmanit, Republika e Kosovës ka shprehur zotimin e saj në Samitin për Demokraci, të organizuar nën përkujdesin e Presidentit Biden, për të qëndruar krah përkrah me shtetet demokratike për ta luftuar dukurinë në rritje të ndërhyrjes nga jashtë në procese zgjedhore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!