Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas rritjes së numrit të të infektuarve me Covid gjatë ditëve të fundit.
Osmani ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të vaksinohen, nën vazhdën e valës së rritjes së numrit të rasteve të të infektuarve me koronavirus.
Osmani, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka kujtuar rrezikshmërinë e variantit Delta të koronavirusit, derisa e ka cilësuar vaksinimin si “akt patriotik”.
Ajo është shprehur se ka mjaftueshëm vaksina për të gjithë, ndaj qytetarët duhet të shkojnë dhe të vaksinohen.
|Rritja e numrit të të infektuarve me variantin Delta kërkon shtimin maksimal të kujdesit, sepse po s`u vaksinuam të gjithë, të gjithë do të jemi humbës. Secili prej nesh ka përgjegjësi në raport me tjetrin për t`i zvogëluar dhimbjet, e para se gjithash humbjet.
Teksa shqetësimi për variantin e ri të virusit rritet, ne duhet t`i shtojmë përpjekjet për vaksinim. Është akt patriotik që secili prej nesh të vaksinohet sa më parë të jetë e mundshme. Vaksina ka mjaftueshëm për të gjithë, ndaj duhet të ndajmë pak minuta nga dita për ta bërë një veprim, i cili në kohën e sotme është më shumë se sa personal.
Për të mirën e të gjithëve, për sigurinë tonë, për mbarëvajtjen e shtetit tonë, vaksinohuni të gjithë!
Ne duhet dhe mund të ngadhënjejmë ndaj çfarëdo virusi!
Vaksinohuni”, shkruan Osmani./abcnews.al