Osmani në Tiranë/ Nazarko: Deklaratat e Presidentit Begaj ishin në sinkron me Ramën

schedule16:33 - 4 Shtator, 2023

schedule 16:33 - 4 Shtator, 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vizitoi këtë të hënë vendin tonë, ku pati një takim me homologun Bajram Begaj.

I ftuar në “Ballkan Update”, analisti Mentor Nazarko ka komentuar këtë vizitë, duke u shprehur se Osmani po tenton të dalë nga vetëizolimi dhe po ndihmon në kapërcimin e problemeve të Kosovës.

Sipas Nazarkos, edhe deklaratat e Begajt ishin në sinkron me kryeministrin Edi Rama.

“Janë dy shtete të cilat në rrugëtimin e tyre ndërkombëtar mund të kenë ndonjëherë objektivat afatshkurtër, mund t’i kenë të ndryshëm, por në pikëpamje afatgjatë nuk do duhet ta kenë të ndryshëm. Duhet ta supozojmë si një lapsus të saj, se ajo çfarë ka dashur të thotë dhe këtu nuk na duhet shumë të supozojmë se çfarë ka dashur të thotë, është se çfarë ka ndodhur në pikëpamjet komunikative, në pikëpamje të gjesteve apo fërkimeve kohëve të fundit është diçka e parëndësishme ose që nuk peshon shumë në raport me atë që është e ardhmja e përbashkët. Natyrisht, këtu ajo i referohet fërkimeve midis Kurtit dhe Ramës dhe ajo paraqitet edhe nëpërmjet kësaj vizite si dikush që ndihmon në kapërcimin e këtyre problemeve. Për hir të këtij raporti, ajo po konvertohet nga një kosovare centrike në një shqiptare centrike, po ta shikoni dhe veshja e saj donte të rezontonte ndopak përmes ngjyrave të flamurit tonë kombëtar të përbashkët.

Së dyti, unë i kam ndjekur këto vizitat e saj që ka pasur te arbëreshët e Italisë dhe lumturinë e saj, të cilët janë një themel i përbashkët i ekzistencës sonë kombëtar. Edhe kemi dimension të tretë të këtij konvertimi i saj, marrëdhëniet e mira me Presidentin Begaj, i cili ishte shumë korrekt dhe në vijë të qendrimit shtetëror të Shqipërisë. Për hir të së vërtetës këtu nuk ka dallime Rama-Begaj. Begaj ka thënë të njëjtat gjëra që ka thënë Rama po në një gjuhë më të përmbajtur dhe ky është lajmi i mirë.

Momenti i katërt në këtë konvertim të Osmanit, është normalizimi i marrëdhënies së saj me Ramën, i cili nuk është gjesti i parë. Janë tre momentet e fundit, është takimi në Tiranë, që ishte BE plus Ballkan, ku Shqipëria ishte mikëpritësja. Takimi që u mbajt te Air Albania. Është takimi i dytë që u mbajt në Ulqin, me rastin e një koncerti të një këngëtari kosovar lirik dhe ky takim i tretë, ku Osmani e takon Ramën kokë më kokë, pritet nga ai në derën e Kryeministrisë, shoqërohet në ngjitje, pastaj shoqërohet në zbritje deri në drekën ku shkojnë. Pra, detaje që bashkë me këto katër elementë që thash tregojnë për një lloj riorientim të saj nga Shqipëria. Kjo është një sjellje korrekte në saj të detyrës së saj profesionale. Ajo ka dhe një dimension të saj, ku synon të kultivojë një popullaritet personal që është ndryshe nga ai i Kurtit, që natyrisht ka dhe ambicien e tij pas presidencës”, u shpreh ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!