Osmani: Menaxhimi i “Zhvatjes”, test për hapjen e negociatave

schedule16:12 - 1 Shtator, 2019

schedule 16:12 - 1 Shtator, 2019

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka deklaruar se nga menaxhimi i çështjes “Zhvatja” do të varet përgjigja e BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Osmani ka bërë thirrje për konsensus politik për çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit.

Numri dy në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka pranuar se afera “Zhvatja” në të cilën rezulton të jetë e implikuar edhe Katica Janeva, ish-prokurorja speciale e zgjedhur për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ka për të dëshmuar pjekurinë e institucioneve të sistemit për t’ju shkuar deri në fund reformave të filluara.

“Qëndrimi im është se këtë gjendje krize mund ta shndërrojmë në mundësi  në qoftë se institucionet përgjigjen me seriozitet dhe në mënyrë efikase, transparente dhe të paanshme e zbardhin këtë rast deri në fund, pavarësisht implikacioneve që mund të ketë. Kriminelë dhe krime ka gjithandej. Dallimi mes shteteve është nëse keni institucione të cilat ia dalin të ballafaqohen me problemin pa subjektivizëm”, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane duke pranuar se nga mënyra se si do të trajtohet rasti “Zhvatja” do të varet edhe reagimi i Bashkimit Evropian për marrjen apo jo të datës për fillimin e negociatave.

Në këtë rrafsh, Osmani ka shprehur shpresën se kanë për t’u tejkaluar dallimet mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me propozim-ligjin për Prokurorinë Publike, me të cilin mëtohet edhe zgjidhja e statusit të Prokurorisë Speciale Publike që aktualisht është vënë në qendër të vëmendjes së publikut.

“Nevojitet vetëm vullnet serioz politik dhe ulje pranë tavolinës, me qëllim të tejkalimit të tyre. Gjithçka që është brenda vijave të kuqe të vendosura nga Bashkimi Evropian, por edhe ne si QEVERI, për shkak se duhet të ketë institucion që përballet me kriminalitetin në nivel të lartë dhe të gjitha rastet qofshin nga përgjimet, qofshin jashtë përgjimeve, për të cilat ka indikacione, duhet të zbardhen me një procedurë gjyqësore. Brenda këtyre kornizave, kujtoj se ka hapësirë për kompromis dhe unë jam optimist se do të arrihet kompromis për Ligjin për Prokurorinë Publike”, tha Osmani në një intervistë të gjatë për seksionin maqedonas të radios Evropa e Lirë.

Në të ai ka folur edhe për marrëdhëniet mes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe partive maqedonase, në pushtet dhe opozitë, duke nënvizuar se qëllimi i integristëve është që të krijohet sa më shumë hapësirë për konsensus lidhur me çështje kryesore politike me të cilat po ballafaqohet Maqedonia e Veriut./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!