Osmani fshikullon Kurtin dhe Konjufcën/ “Nuk njoftuan presidenten për letrën që i dërguan Këshillit të Europës”

schedule19:13 - 29 Maj, 2024

schedule 19:13 - 29 Maj, 2024

Vjosa Osmani fshikullon kryeministrin dhe krye parlamentarin e Kosovës. Presidentja e Kosovës thotë se ata shkelën Kushtetutën duke mos e njoftuar si kryetare shteti për letrën që i  dërguan Asamblesë parlamentare të Këshillit te Evropës. Në këtë letër Kurti njoftonte për përgatitjen e një draft statuti për asociacionit. Por pavarësisht kësaj përpjekje, duke injoruar totalisht presidenten e vendit, qeveria Kurti dështoi ta përfshinte Kosovën në axhendën për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Duket se tensionet në distancë midis presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti dhe politikës së afërt me të, po dalin tashmë publikisht. Duke iu kundërpërgjigjur kreut të parlamentit Glauk Konjufca lidhur me mosinformimin për letrën që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, kishte dërguar në Këshillin e Evropës, Osmani i ka dhënë përgjigje publike Kurtit, duke rivendikuar pozicionin e saj si kreu I shtetit. Vjosa Osmani ka deklaruar se jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mire dhe se komunikimet mes tyre deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kanë qenë pikërisht përmes telefonit.

“Është domosdoshmëri kushtetuese, në përputhje me nenin 84, që Qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme që sipas Kushtetutës sonë gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i Presidencës.”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës bën të qartë se po bëhen përpjekje për ta fajësuar institucionin që ajo përfaqëson.

“Tregon që në njëfarë mënyrë po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj te Presidenca që për mua është vërtet edhe shumë qesharake, sepse të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo ditë të javës në komunikim me të gjithë për tema të rëndësisë kapitale, sidomos në fushën e politikës së jashtme që janë brenda mandatit të presidentes.”, tha Osmani.

Më 16 maj, Gërvalla kishte dërguar një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ku thuhej se qeveria e Kosovës po përgatiste një draftstatut për Asociacionin që do ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit. BE reagoi menjëherë duke e hedhur poshtë ofertën dhe duke theksuar se draft statuti mbetet ai I të dërguarit Miroslav Lajçak. Pavarësisht nga përpjekja e minutës së fundit të Kurtit, duke injoruar presidenten Osmani, Kosova dështoi të përfshihej në agjendën për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!