OSHEE: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë për furrat e bukës, çdo lëvizje është abuzive”

schedule13:52 - 2 Nëntor, 2024

schedule 13:52 - 2 Nëntor, 2024

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka sqaruar se aktualisht nuk ka asnjë rritje të çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës. Skema e faturimit për këto subjekte ka hyrë prej muajit prill dhe është përcaktuar pas dakordësisë së plotë me vetë subjektet.

OSHEE sqaron se koncepti i “orarit pik”, i cili po diskutohet kohët e fundit është një koncept specifik i vendosur që në vitin 2016 nga ERE, si institucioni i ngarkuar me ligj për përcaktimin e tarifave në sektorin e energjisë;

– Orari pik gjatë të cilit aplikohet çmimi për energjinë e konsumuar është:
o Për periudhen 1 Nëntor – 31 Mars nga ora 18:00 deri në 22:00
o Për periudhën 1 Prill – 31 Tetor nga ora 19:00 deri në 23:00.
Vetëm gjatë orarit pik, për subjektet private, çmimi është 15% më i shtrenjtë se çmimi i zakonshëm.
Koncepti i energjisë pik është një koncept ndërkombëtar, i përdorur në gjithë Europën dhe më gjerë.
Orari pik është orari kur konsumi i energjisë është më i lartë dhe çmimi i energjisë në tregje është mjaft i lartë. Prandaj Entet rregullatore ndërhyjnë me masa të tilla që të favorizojnë uljen e konsumit në këto orare.

Nuk ka asnjë ndryshim nga 1 nëntori, çdo lëvizje është abusive

OSHEE sqaron se asgjë nuk ka ndryshuar nga data 1 nëntor. Vendimi i ERE për energjinë pik është i zbatueshëm që nga viti 2016 për gjithë subjektet private që kanë të instaluar matës inteligjent (vetëm matësit inteligjent janë të aftë të lexojnë konsumin sipas orareve).
Si rrjedhojë, çdo rritje e çmimit nga subjektet e furrave të bukës është i padrejtë dhe abuziv.
Sipas të dhënave nga OSHEE, aktualisht janë rreth 1600-1700 furra bukë të regjistruara si të tilla. Përsa i përket periudhës 2018-2024 mesatarja mujore e subjekteve furra buke të cilat janë tarifuar me çmimin pik është si më poshtë:
o Për vitin 2018 janë tarifuar 11 subjekte
o Për vitin 2019 janë tarifuar 87 subjekte
o Për vitin 2020 janë tarifuar 86 subjekte
o Për vitin 2021 janë tarifuar 95 subjekte
o Për vitin 2022 janë tarifuar 120 subjekte
o Për vitin 2023 janë tarifuar 164 subjekte
o Për vitin 2024 janë tarifuar 194 subjekte
– Pra çmimi i energjisë në orarin e pikut ka filluar të zbatohet për furrat e bukës që nga viti 2016 dhe asnjeherë nuk ka patur ankesa për këtë tarifë.

Skema e tarifimit të energjisë elektrike për prodhuesit e bukës
Që prej muajit prill 2024 kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të furrave të bukës. Edhe për këto tarifa është i zbatueshëm koncepti i orarit pik.
OSHEE sqaron se në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, me qëllim aplikimin e drejtë dhe jo diskriminues të çmimeve të energjisë elektrike te furrave te bukes, propozuan në ERE çmime të reja për furrat e bukës.
Këto çmime reflektonin situatën konkrete të biznesit të furrave të bukës, të cilat tashmë ushtrojne edhe aktivitete te kombinuara, si pasticeri, bar kafe, etj.
Kategoritë e miratuara nga ERE në muajin prill 2024 janë si më poshtë:
● Kategoria I – Vetëm Furra buke/prodhim mielli, Çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 7.6 lekë/kWh.
● Kategoria II – Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, Çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 9.5 lekë/kWh;
● Kategoria III – Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, shërbim Kafe (ekspres), Çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 12 lekë/kWh.

Sqarojmë se deri në prill 2024 për kategoritë II dhe III çmimi ka qënë 14l/kWh pra më i lartë se sa tarifat aktuale të miratuara nga ERE.

Çmimi për furrat e bukës nuk është rritur, ai subvencionohet nga shteti. OSHEE sqaron se çmimi i energjisë elektrike për furrat e bukës dhe kategoritë e bizneseve që prodhojnë produkte buke është i subvencionuar nga ana e shtetit. Ky çmim nuk reflekton asnje kosto të energjise dhe qeveria e subvencionon si nje mase sociale për popullsinë.
Bashkëpunimi shumë i ngushtë me grupet e interesit, si Shoqatën e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumrave, ka sjelle një tarifim më të drejtë të subjekteve dhe mbeshtetjen e nje konkurrence te ndershme ndermjet kategorive te ndryshme te furrave bukes.
Përsa i përket periudhës Maj-Shtator 2024, numri i subjekteve Furra Buke të cilat faturohen sot janë rreth 1600, të ndarë sipas tre kategorive:
● Në kategorinë Furra Buke – 480 subjekte
● Në kategorinë Furra Buke + Pastiçeri – 865 subjekte
● Në kategorinë Furra Buke + Pastiçeri + Bar Kafe – 222 subjekte

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!