OSHEE nuk do të kërkojë ndryshim të çmimit të energjisë për abonentët familjarë. Në propozimet që do t’i dërgohen Entit Rregullator të Rnergjisë rritje ka kërkuar vetëm Operatori i Transmetimit të Energjisë.
Edhe për vitin 2019 çmimi i energjisë nuk ka gjasa që të ndryshojë.
Televizioni Klan ka mësuar nga burime zyrtare se kompania e shpërndarjes së energjisë nuk do të kërkojë tarifë tjetër për konsumatorin familjar nga ajo 9.5 lekë për kilowatt orë që është sot.
OSHEE akoma nuk ka dërguar aplikimin për çmimin e ri të energjisë në Entin Rregullator, ndërsa Operatori i Sistemit të Transmetimit kërkon rritje të tarifës për transmetimin e saj në tensionin e lartë me 46%, nga 0.75 në 1.39 lekë për kilovat.
Tashmë mbetet në dorën e Entit Rregullator të Energjisë miratimi i tarifave, por gjithçka do të varet edhe nga çmimi i energjisë që do të vendosë për kompaninë e prodhimit të saj, KESH, qeveria.
Ka 4 vjet që çmimi i energjisë në Shqipëri për klientët familjarë dhe bizneset nuk po ndryshon, ndërsa kompania e shpërndarjes ka arritur që në këto vite të përmirësojë performancën e saj financiare dhe të realizojë fitime neto në vlerën e 300 milion dollarëve, para që kanë shkuar për të rritur planin e saj të investimeve.
Ky vit pritet që të mbyllet me 35 milionë dollarë fitim për OSHEE-në, por burime nga kompania thonë se të gjitha do të shkojnë për të rritur investimin në rrjetin e shpërndarjes së energjisë./abcnews.al