OSHEE investim 1 miliard lekë në Tiranë, Balluku: Ulim humbjet në rrjet

schedule11:32 - 7 Maj, 2019

schedule 11:32 - 7 Maj, 2019

Një miliard lekë është investimi që ka nisur Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Tiranë. Sipas ministres së infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku, në kryeqytet jo vetëm do të rritet cilësia e furnizmit me energji elektrike por do të ulen edhe humbjet në rrjet.

Po ndërhyet në kabinat që janë ndërtuar kryesisht gjatë viteve ’90. Investimi 1 miliardë lekë parashikon të përmirësojë furnizmin me energji për banorët e Tiranës por edhe fshatrat përreth.

Drejtori i OSHEE-së Tiranë, Klevis Jahaj:  “Ky investim kap vlerën e 1.1 miliardë lekëve dhe përfshirën rreth 250 mijë abonentë të OSHEE-së të cilët do të përfitojnë nga ky investim dhe normalisht do të ndikojë qoftë në cilësinë e furnizimit me energji elektrike por gjithashtu dhe në tregues të tjerë, atyre të humbjeve. Gjithashtu 10 fiderët e rinj të cilët po shtohen nga nënstacioni i Selitës dhe ai i Traktorit do të bëjnë që të normalizojë mbingarkesën që kanë fidrat aktual në momentet e pikut”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku: “Kërkesa për energji në Tiranë arrijnë në 37 përqind të kërkesës kombëtare. Sigurisht i gjithë investimi që OSHEE ka bërë deri më sot ndikon ndjeshëm jo vetëm në uljen e humbjeve në rrjet për Tiranën, nga 35% që ka qenë në vitin 2014, sot është 16.8%, pra katër-mujori i parë i 2019-ës është vërtetë diçka për t’u shënuar, por nga ana tjetër sigurisht duke qenë se është më shumë se 1/3 e tregut të kërkesës së energjisë elektrike, investimet që kryhen në rrjetin e Tiranës janë investime që ndikojnë direkt në performancën e OSHEE-së dhe të gjithë sektorit energjetik”.

Përmes rikonstruksionit të kabinave synohet vendosja e pajisjeve bashkëkohore, duke zëvendësuar teknologjinë e vjetër. ¼ e kabinave të reja do të përshtaten me teknologjinë (telekomandim në distancë, monitorim online dhe transmetim të dhënash). Këto kategori kabinash rrisin sigurinë dhe shpejtësinë e manovrimeve në rast defektesh ose mbingarkesë në rrjet. Brenda muajit qershor investimet do të nisin edhe në zonat rurale të Tiranës. / ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!