Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Orteku në Pakistan, vazhdojnë kërkimet për shtatë alpinistët e zhdukur

schedule10:40 - 1 Gusht, 2026

schedule 10:40 - 1 Gusht, 2026

Ekipet e shpëtimit në Pakistan po vazhdojnë për të dytën ditë radhazi operacionin e kërkimit për shtatë alpinistë që rezultojnë të zhdukur pas një orteku në malin Broad Peak, maja e 12-të më e lartë në botë.

Mes të zhdukurve është edhe alpinisti i njohur me origjinë nga Nepali, Nirmal Purja, i cili drejtonte ekspeditën shumëkombëshe prej 10 personash në malin 8,047 metra të lartë, në vargmalin Karakoram, pranë kufirit mes Pakistanit dhe Kinës.

Operacioni i kërkim-shpëtimit është zgjeruar me pjesëmarrjen e alpinistëve vendas pakistanezë dhe të alpinistëve nepalezë, të cilët kanë ndërprerë ekspeditat e tyre në malin fqinj K2 për t’iu bashkuar përpjekjeve për gjetjen e të zhdukurve.



Megjithatë, moti i keq po e vështirëson ndjeshëm ndërhyrjen. Autoritetet pakistaneze kanë konfirmuar deri më tani gjetjen e trupave të pajetë të tre anëtarëve të ekspeditës: amerikanes Mallory Geis, Nadhira Ahmed Abdullah Al Harthy nga Omani dhe Pur Bahadur Gurung nga Nepali.

Sipas Klubit Alpin të Pakistanit, dronët kanë pikasur disa alpinistë në zonën e ortekut, por gjendja e tyre mbetet ende e paqartë. Sekretari i përgjithshëm i klubit, Ayaz Shigri, deklaroi për BBC se ekipet e shpëtimit po përballen edhe me rrezikun e ortekëve të tjerë, ndërsa helikopterët ushtarakë janë në gatishmëri për të ndërhyrë sapo kushtet atmosferike ta lejojnë.

Nirmal Purja është një nga figurat më të njohura të alpinizmit botëror. Në vitin 2019 ai hyri në histori duke ngjitur të 14 majat mbi 8 mijë metra në pak më shumë se gjashtë muaj. Ai ka shërbyer më parë në Ushtrinë Britanike dhe në njësinë elitare Special Boat Service të Marinës Mbretërore.

Mes pjesëmarrësve në ekspeditë ishte edhe Kili Pemba Sherpa, i cili deri më tani ka ngjitur malin Everest 15 herë dhe ishte pjesë e ekspeditës historike dimërore në K2 në vitin 2021.

Broad Peak konsiderohet një nga malet më të vështira dhe më të rrezikshme për alpinistët. Ngjitja e parë e suksesshme u realizua në vitin 1957 nga një ekspeditë austriake, ndërsa gjatë dekadave të fundit dhjetëra alpinistë kanë humbur jetën në përpjekje për të arritur majën. Viti 2013 mbetet një nga më tragjikët në historinë e këtij mali, me të paktën gjashtë viktima.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!