“Orientimi pro amerikan, jo servilizëm”, Zheji: Vizita e Blinken ka domethënie të veçantë. Kush distancohet nga SHBA, dëmton forcën e vet politike

schedule13:39 - 15 Shkurt, 2024

schedule 13:39 - 15 Shkurt, 2024

Analisti Artur Zheji theksoi se vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë ka një domethënie të veçantë. Në studion e ABC News, analisti theksoi se kjo konfirmon kufijtë e Shqipërisë dhe Kosovës por edhe të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.

Ai thotë se orientimi pro amerikan nuk është servilizëm ndaj këtij shteti të fuqishëm por është një orientim ndaj partnerit që mbështet interesat e shqiptarëve. Sipas Zhejit, kush distancohet nga SHBA, dëmton vetë imperativin e forcës së vet politike.

“Si një vend i vogël por që ndihemi i madh dhe të kërcënuar edhe gjeopolitikisht, nuk kemi shumë miq në Ballkan, prezenca e Blinken është e prezenca e SHBA që është garantja e stabilitetit gjeopolitik jo vetëm në rajonin tonë. Prandaj për ne është e veçantë dhe merr dimensione më të spikatura ndryshe nga vendet e mëdha ku vizitat e tilla nuk bien shumë në sy.  Për ne ka një domethënie më ndryshe, që konfirmon kufijtë e Shqipërisë, të Kosovës, të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe kudo që janë. Kjo do të thotë se orientimi i elitave politike shqiptare ka qenë i saktë dhe merr përgjigjen e duhur dhe na bën të ndihemi të barabartë, dhe ndonjëherë të llastuar në rajon.

Por na bën të ndihemi mirë.Mendoj që me imperativin kategorik politik të një force politike shqiptare, Shqipëria ka vuajtur. Gjithmonë ka pasur aleatë të gabuar. Kemi pasur që kanë zgjedhur lindjen, në komunizëm zgjodhëm Bashkimi Sovjetik. Jemi popull perëndimor. Thënë kjo, mendoj se në një program politik të çfarëdo force politike, orientimi pro amerikan është orientim jo servilizmi ndaj shtetit më të madh por ndaj atij partnerit që zgjidh ekuacionet e interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kush distancohet në këtë korrelacion me SHBA, ai bën një zgjidhje egoiste dhe dëmton imperativin e forcës së vet politike.”, tha Zheji./abcnews.al