Orgers Shehi: Të nxjerrim mësime nga Laçi, Bylisi rival i fortë

schedule12:57 - 27 Qershor, 2020

schedule 12:57 - 27 Qershor, 2020

Orges Shehi, trajneri i Kukësit, para ndeshjes së nesërme me Bylisin, ka folur për objektivin e verilindorëve,  shortin e Kupës së Shqipërisë dhe për garën me Tiranën për titullin kampion. “Në këtë fazë të kampionatit, të gjitha ndeshjet janë të vështirë.

Për vetë renditjen ku jemi nuk duhet të bëjmë më asnjë hap fals. Kjo sepse nuk ka kohë më për të rikuperuar. Është një ndeshje e rëndësishme, përballë një kundërshtari që javët e fundit po e gjen ritmin. E kemi përgatitur në atë mënyrë që të japim maksimumin. Edhe detyrat taktike janë të qarta”, tha Shehi fillimisht.

Në lidhje me Kupën, trajneri durrsak shtoi: “Sigurisht në gjysmëfinale të gjithë kundërshtarët janë të fortë. Shorti na ka vënë përballë Teutës, një kundërshtar i fortë. Mendoj se më parë duhet të shohim ndeshjet e kampionatit, pastaj të mendojmë për kupën”.

Shehi në fund foli edhe për garën me Tiranën për titull: “Duhet të japim maksimumin tonë dhe deri tani kemi bërë mirë, përveç ndeshjes në Laç. Nuk duhet ta mendojmë më atë ndeshje, por duhet të nxjerrim mësime. Duhet të vazhdojmë të fitojmë ndeshjet tona, për të qenë pranë objektivave. Në fund do të shohim se çfarë do të ndodhë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!