Në New York ka nisur marrja e masave drastike për përballimin e të sëmurëve me COVID-19, teksa spitalet po përballen me një krizë të vërtetë prej pamjaftueshmërisë së pajisjeve të nevojshme.
“The New York Times” bën të ditur se në spitalin New York-Presbyterian ka nisur aplikimi i metodës së trajtimit të dy pacientëve me një ventilator të vetëm.
Sipas tyre, kjo metodë është përdorur vetëm dy herë të tjera: Në masakrën e armatosur në Las Vegas në 2017-ën dhe pak ditë më parë në Itali, e aplikuar nga mjeku Marco Garrone.
Kjo metodë e rrezikshme por e domosdoshme në situatën “jetë a vdekje”, realizohet duke lidhur në një pajisje ventilimi, dy tuba nëpërmjet një pjese të veçantë.
Situata në New York është përkeqësuar thellësisht në vetëm pak ditë duke e çuar numrin e të prekurve në më shumë se 37 mijë, ndërkohë që guvernatori Andrew Cuomo ka bërë të ditur se u duhen 30 mijë ventilatorë, ndërsa në gjendje kanë vetëm 11 mijë të tillë./abcnews.al