Fatbardh Kadilli thotë se opozita po luan bixhoz me lojën politike. Për emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD theksoi se ata po luajnë me fatin e opozitës, duke e dëmtuar atë. Sipas tij, më shumë ngjarje prodhon Ilir Meta me streset e tij sesa Lulzim Basha.
Pjesë nga biseda:
Sot janë poshtë ballkonit të Berishës…
Kadilli: Në mënyrë shumë të turpshme, deputetë, politikanë që e quajnë veten elitë e PD pavarësisht se ku rreshtohen, bëjnë kapërcime pa asnjë shpjegim logjik të pranueshëm. Pa asnjë argument politik, thjesht duke kalkuluar ku i kanë shanset. Pra është shndërruar në një bixhoz loja politike e këtyre politikanëve të opozitës. Më vjen keq ta them, por po luajnë bixhoz dhe jo vetëm me fatet e karrierat e tyre, por po luajnë me fatin e opozitës dhe mbi të gjitha duke dëmtuar opozitën, po luajnë me fatin e Shqipërisë.
Nuk mund të ketë maxhorancë efektive, të kontrolluar nëse opozita, është inekzistente dhe mbyllet në sherret banale dhe ambiciet e karrierës individuale të disa njerëzve meskinë, që janë sot deputetë, por nuk i dalin zot Shqipërisë, përse duhet të bëhen prapë. Ca të tjerë që janë politikanë dhe vijnë rrotull kryesisë apo te Basha, nuk thonë asnjë mendim politik. Te Basha nuk ka asnjë ngjarje. Më ngjarje prodhon Ilir Meta me stresin e vet sot se sa prodhon Basha në një muaj./abcnews.al