Opozita ka paditur në prokurorinë e Tiranës kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku për largim të paligjshëm të prokurorëve që hetojnë ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, me qëllim final mbylljen e hetimit ndaj tij sipas demokratëve. Në emër të opozitës kallëzimin e depozituan krerët e grupeve parlamentare PD dhe LSI, përkatësisht Edmond Spaho dhe Petrit Vasili.
Të paligjshme dhe të urdhëruara politikisht i konsideron opozita këto lëvizje për të cilat pretendon se është konsumuar vepra penale e shpërdorimit të detyrës.
“Lëvizja dhe transferimi i prokurorëve që udhëheqin çështjen penale të Saimir Tahirit, është një veprim aktiv dhe i kundërligjshëm, që bëhet me qëllimin e plotë të dështimit të hetimeve dhe përbën pa asnjë dyshim pengim të drejtësisë. Kjo lëvizje vjen në një kohë ku afati ligjor i hetimeve është drejtë përfundimit dhe prokurorët do të duhet të dalin me konkluzionin përfundimtar mbi këtë hetim”- thuhet në kallëzimin e depozituar në Prokurorinë e Tiranës. /abcnews.al