Opozita nisi sesionin e ri parlamentar nga Shkodra

schedule18:45 - 3 Shtator, 2018

schedule 18:45 - 3 Shtator, 2018

Nga Shkodra, opozita paralajmëroi qëndrimin e saj të kushtëzuar me parlamentin, por jo bojkotin e plotë të tij. Vendimi u bë publik nga kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. Ndërkohë gjatë mbledhjes së përbashkët, Basha vuri theksin tek situata e rendit në Shkodër, që sipas tij është jashtë kontrollit për shkak të lidhjeve të krimit me qeverinë.

E gjithë opozita u bë bashkë e përshkoi mbi 86 kilometra për të zhvilluar seancën e parë parlamentare.

Përzgjedhja e Shkodrës për këtë seancë u bë me një qëllim, protestë dhe thirrje kundër qeverisë.

“Edi Rama është një kryeministër në letër, Fatmir Xhafaj është një ministër i Brendshëm në letër. Kontrollin e territorit nuk e ka policia, por e kanë bandat dhe krimi i organizuar. Ky është realiteti në Shkodër. Ky është po kështu realiteti në Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë në Shijak e gjetkë. E sot kam një thirrje për drejtorin e qarkut të Shkodrës: Jep dorëheqjen dhe largohu menjëherë përndryshe do jesh njësoj bashkëfajtor si Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj për këtë gjendje”, tha Basha.

E sa për ftesat për bashkëpunim që i bëheshin nga salla e parlamentit në Tiranë, përgjigja ishte një dhe e prerë nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Si mund t’i kërkohet opozitës të ulet e të bëjë ligje me Fatmir Xhafën që duhet të ishte nën hetim. Si mund t’i kërkohet opozitës të negociojë me Taulant Ballën e Toyota Yaris, i cili pranon publikisht pa iu dridhur syri që ka miqësi me një trafikant të kapur droge”, theksoi Basha.

Ky ishte hapi i parë i aksionit opozitar. Në emër të grupeve parlamentarë të opozitës është Petrit Vasili që sqaron se çdo të ndodhë më tej.

“Marrëdhënia me parlamentin do të jetë e kushtëzuar, zero kompromis. Faktet tregojnë inkriminimin e kryeministrit.  Frikacakët janë në Tiranë. Kjo luftë e papajtueshme, nuk ndalet deri në çlirimin e Shqipërisë”, tha Vasili.

Sipas kryetarit të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, opozita nuk ka bojkotuar, por ka marrëdhënie të kushtëzuar me kuvendin duke paralajmëruar njëherazi se jeta paralmentare nuk do të rrjedhë e qetë.

“Reagimi do të jetë shumë i fortë, format do i shikoni”, theksoi ai.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!