Opozita në Maqedoni kundër referendumit: Pyetja është manipuluese

schedule14:46 - 31 Korrik, 2018

schedule 14:46 - 31 Korrik, 2018

Referendum për çështjen e emrit në Maqedoni do të mbahet në 30 Shtator pas miratimit të tij në parlamentin e vendit të hënën, vetëm me votat e deputetëve shqiptarë. Opozita maqedonase kundërshton pyetjen duke e cilësuar si manipuluese.

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, pjesë e opozitës në Maqedoni, në konferencë për shtyp u shpreh se do të kundërshtojnë vendimet e qeverisë për çështjen e referendumit, që sipas tyre janë marrë pa një konsensus mes gjithë partive. Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, para gazetarëve tha se pyetja për të cilën qytetarët do të votojnë në referendum është manipuluese dhe me dy kuptime.

“Pyetja duhet të jetë me një formulim dhe pa dyshime, në mënyrë që të mos hutojë qytetarët. Pyetja e propozuar nga shumica parlamentare është manipulative. Kjo është prova më e mirë se qeveria është e frikësuar nga populli. Marrëveshja me Greqinë është punë tjetër, kurse anëtarësimi në BE dhe NATO është punë tjetër. Zaev dhe LSDM vazhdojnë ta çojnë shtetin në krizë me pasoja të mëdha”, tha Igor Janushev.

Por nga ana e tij kryeministri i vendit Zoran Zaev reagoi duke thënë se referendumi do të jetë konsultativ. Zaev gjithashtu i bëri thirrje opozitës të mbështesë referendumin dhe të bëjë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve.

“E di se referendumi do të jetë konsultativ. Sërish shfrytëzoj rastin që të ftoj opozitën që të përfshihet, dhe t’i ftojë qytetarët që të dalin masivisht që të tregojnë qëndrimin e tyre. E dini se ky është vendim historik, jo vetëm se pse del nga referendumi, por për shkak se nëpërmjet tij vendoset e ardhmja e Republikës së Maqedonisë”, tha Zaev.

Referendumi që do të mbahet në 30 Shtator do të ketë pyetjen: A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO duke pranuar marrëveshjen mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?

Që referendum të ketë sukses nga 1 milion e 800 mijë me të drejtë vote, duhet të votojnë të paktën mbi 900 mijë. Në rast se nuk arrihet kjo pjesëmarrje nënkupton se qytetarët maqedonas nuk kanë marrë një vendim. Në këtë pikë kryeministri Zaev ka paralajmëruas se për çështjen e emrit do të vendosin të zgjedhurit e popullit në Kuvend./abcnews.al