Partia opozitare në Maqedoni VMRO – DPMNE ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev dhe krijimin e një qeverie teknike. Kjo parti këmbëngul në zgjedhjet e parakohshme duke e konsideruar të pavlefshëm referendumin e 30 shtatorit për çështjen e emrit.
Në mbledhjen e saj të fundit të Komitetit Qendror dhe Ekzekutiv, partia opozitare VMRO-DPMNE në Maqedoni, vendosi të mos njohë rezultatin e referendumit të 30 shtatorit për cështjen e emrit. Kjo parti kërkon dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev dhe krijimin e një qeverie teknike. Sipas saj dalja e vetëm 36 për qind të votuesve, tregoi vullnetin e qartë të popullit kundër marrëveshjes së arritur me Greqinë. Aleksandar Nikollovski, deputet i VMRO-DPMNE-së, shtoi se nëse kryeministri Zaev ka ndërmend të shpallë zgjedhje të parakohshme, paraprakisht duhet të plotësojë disa kushte.
Dhe një nga kushtet kryesore është pikërisht dorëheqja e tij dhe krijimi i një qeverie teknike që do të drejtohet nga VMRO-DPMNE. Mandate do të ishte 100 ditë, deri në momentin e zgjedhjeve të përgjithshme. /abcnews.al