Opozita me platformë për krizën që shkaktoi COVID-19, Basha: Pandemia ekonomike më e rrezikshme

schedule19:38 - 12 Maj, 2020

schedule 19:38 - 12 Maj, 2020

Kreu demokrat Lulzim Basha i cilësoi shumë herë më të rënda pasojat ekonomike të koronavirusit se ato shëndetësore. Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit, ai theksoi se qeveria dështoi në përballimin e pandemisë. Ekspertët e opozitës do të hartojnë një platformë për daljen e vendit nga kriza e rëndë ekonomike.

Lulzim Basha doli vetë në terren për të konstatuar problematikat e biznesit pas pandemisë së COVID-19. Duke i cilësuar efektet e pandemisë ekonomike si shumë herë më të rënda se ajo shëndetësore, Basha dëgjoi shqetësimet e biznesit.

“Dëmi këto dy muaj ka shkuar gati 2 mijë euro”, thotë një qytetare.

Por takimi i kryedemokratit Basha përbën edhe aksionin e radhës që opozita do të ndërmarrë ditët e ardhshme. Në një mbledhje në selinë blu, aleatët e demokratëve vendosën që takimet me qytetarët dhe bizneset të jenë të përditshme.

“Sot diskutuam për përgatitjen  enjë platforme apo një mënyrë zgjidhjeje të kësaj situate. Për ti dhënë mundësi, një rifuqizim ekonomisë shqiptare”, tha Kryemadhi.

Për opozitën, qeveria dështoi me menaxhimin e krizës dhe si pasojë kriza me të cilën po përballen bizneset është shumë e madhe.

“Për fatin e keq gjatë pandemisë nuk janë marrë masa për të ndihmuar biznesin apo shtresat në nevojë për të kapërcyer këtë situate ekonomike”, u shpreh Mediu.

Ekspertët ekonomikë të opozitës do të punojnë për hartimin e platformës së daljes nga kriza, e cila do të jetë edhe një alternativë e opozitës përpara zgjedhjeve parlamentare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!