Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë që dha për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, foli për takimin e Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç sa i përket marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai u ndal gjithashtu edhe te kritikat e opozitës në Kosovë lidhur me planin evropian.
Haradinaj e cilësoi sjelljen e disa partive opozitare si jo serioze kur bëhet fjalë për një marrëveshje shumë të rëndësishme për vendin.
“Marrëveshja nuk është e plotë, nuk ka njohje bilaterale por nuk ka asgjë të keqe në këtë marrëveshje. Nga këto partitë që po bëjnë zhurmë, PDK dhe LDK nuk e shoh shumë serioze sjelljen e tyre në këtë proces. Shikoj një lloj loje të paarsyeshme në momente kaq kritike për vendin tonë. Ne duhet të ecim përpara.
Të mos ecim me frikën e dështimit por të rrisim vetëbesimin. Këta që në një mënyrë apo në një tjetër dëshirojnë me zbehur këto që kanë ndodhur. I kisha pyetur se cilat janë alternativat e tyre. Disa alternativa që janë ndërmarrë prej tyre kanë qenë të rrezikshme në të kaluarën.“, tha Haradinaj. /abcnews.al