Në takimin prej 60 minutash, Opozita ka informuar ambasadorët e BE dhe SHBA mbi formulën e koalicioneve për zgjedhjet e ardhshme duke kërkuar mosndryshim të saj. Ndërsa i ka bërë thirrje partisë socialiste për të rimbledhur nesër Këshillin Politik
Takimi me ndërkombëtarët u kërkua nga opozita menjëherë pas mbledhjes së pasuksesshme të Këshillit Politik. Për shkak të agjendës së saj, Yuri Kim mungoi në takim ndërsa SHBA u përfaqësua nga zv/ambasadorja Lejla Moses Onesh.
Në takim mori pjesë dhe ambsadori i BE-së, Luigi Soreca dhe ai britanik Dunkan Norman, i cili tregoi edhe kujdes të shtuar për masat anti-covid.
Për 60 minuta ambasadorët u informuan nga ekspertët zgjedhorë mbi ndryshimet Kushtetuese miratuara në 30 korrik dhe mundësinë që edhe në zgjedhjet e ardhshme të mbahet formula aktuale e formimit të koalicioneve.
Pas mbledhjes ndërkombëtarët i qëndruan traditës së tyre për të mos komentuar takimet me aktorët politikë, teksa vetë opozita formuloi menjëherë ftesën për shumicën për rimbledhjen e Këshillit Politik.
Në kërkesën e Bylykbashit dhe Vasilit, shumicës iu kërkua të vazhdohet dialogu për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR paraditen e të mërkurës në orën 10:00. E mërkura përkon edhe me skadimin e afatit që vetë opozita kishte vendosur për të marrë një përgjigje nga shumica për hartimin e një kërkese drejtuar ODIHR për të marrë një ekspertizë të thelluar.
/abcnews.al/