Opozita greke: Jemi në errësirë për bisedimet Shqipëri – Greqi

schedule10:27 - 5 Korrik, 2018

schedule 10:27 - 5 Korrik, 2018

Opozita në Greqi kërkon të dijë më shumë sa i përket ecurisë së negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë. Deputetët e partisë “Demokracia e Re” i kanë dërguar një letër Presidentit të Komitetit të Përhershëm të Mbrojtjes Kombëtare dhe Punëve të Jashtme. Në letrën e tyre, ata kërkojnë një mbledhje me dyer të mbyllura për të diskutuar ecurinë e negociatave, marrëdhëniet shqiptaro-greke, hapësirën detare dhe të drejtat e pakicës kombëtare greke në vendin tonë.

Deputetët e opozitës greke kanë kërkuar edhe më parë në Parlament të informohen për bisedimet mes dy vendeve, por nuk kanë marrë përgjigje. Kjo gjë i ka detyruar ata që të bëjnë kërkesë për një mbledhje me dyer të mbyllura.

Deputetët e “Demokracisë së Re” theksojnë se “opozita është ende në errësirë për një çështje të rëndësisë kombëtare, e cila krijon shqetësim legjitim”.

Sipas tyre, negociatat mes Shqipërisë e Greqisë kanë arritur në një fazë kritike dhe rinegociimi për zonat detare pothuajse ka përfunduar. Në këtë mënyrë, thotë opozita greke, është e domosdoshme që ata të informohen për këtë marrëveshje. /tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!