Policia e Tiranës ka vijuar goditjet ndaj shpërndarjes së drogave të forta, duke finalizuar operacionin e koduar “Destinacioni”, në kuadër të aksioneve kundër trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Gjatë operacionit, në fshatin Mëzez, u arrestua në flagrancë shtetasi 38 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Audi”, që drejtohej nga 38-vjeçari, u gjet një qese me rreth 100 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se ishte bërë gati për shitje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike dhe automjeti me të cilin lëvizte i arrestuari.
Operacioni u zhvillua pas administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga puna operative e specialistëve të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, të cilët po vijojnë kontrollet për goditjen e shpërndarjes së drogës në kryeqytet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.



