5 kg heroinë është sekuestruar në zonën e Saukut në Tiranë. Operacioni është kryer nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me policinë e Durrësit. Policia arrestoi 4 persona dhe ka shpallur në kërkim disa të tjerë.
4 persona që ishin pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikimin e drogave të forta kanë përfunduar në pranga. Operacioni “Vollga” është kryer nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me policinë e Durrësit dhe ka zgjatur dy ditë.
Tre persona me inicialet B.D, A.T, dhe N.M u ndaluan në Tiranë kurse i katërt me inicialet A. R u arrestua në Durrës me urdhër të prokurorisë së këtij qyteti.
Prej muajsh grupi mbahej nën vëzhgim dhe ndiqej nga policia. Të arrestuarit mendohet se kryenin rolin e transportuesit dhe në cilësinë e provës materiale u është sekuestruar 5 kg drogë e dyshuar si heroinë, një sasi parash, 3 automjete dhe disa telefona.
Burime të “Abc neës” bëjnë me dije se janë shpallur në kërkim poseduesit e drogës. Dyshohet se grupi vepronte në kryeqytet dhe droga u bllokua një ditë më parë në zonën e Saukut në Tiranë./abcnews.al