Policia e Shkodrës goditi një grup kriminal që dyshohet per kultivimin e mbi 10 mijë rrënjëve kanabis gjatë muajve të verës në fshatrat Kir dhe Pult.
Në kuadër të Operacionit “Alpe të pastra” në pranga janë vënë Arben Shpati, Pavlin Shpati dhe Aurel Fejzo, si dhe janë shpallur në kërkim 6 persona të tjerë që banojnë në fshatrat Bardhaj dhe Grude e Re.
Sipas policisë së Shkodrës, këta persona kanë lidhje familjare dhe shoqërore me njëri-tjetrin dhe dyshohet se kanë vepruar në formën e grupi kriminal ku secili kishte rolin e tij, nga sigurimi i farave narkotike deri në kultivimin, prodhimin dhe shitjen e drogës.
Mësohet se hetimet kanë nisur prej disa muajsh, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës. Pasi kanë gjetur bimët narkotike, policia ka mundur të identifikojë edhe personat përgjegjës, si dhe te filmoje me dronë parcelat e kanabisit.
Asgjësimi i këtyre bimëve narkotike u bë në muajin gusht të këtij viti nga policia e Shkodrës në kuadër të operacionit “Alpe të pastra”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë po punohet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rasteve të tjera të kultivimit të bimëve narkotike nga këta shtetas, në zonën e Dukagjinit.