Operacion antidroge i koduar “Ilirico” Spanjë-Itali e SHBA, arrestohen shqiptarët

schedule13:21 - 13 Korrik, 2020

schedule 13:21 - 13 Korrik, 2020

Një operacion i gjerë është organizuar nga autoritetet spanjolle në provincën e Valencias.

Gjatë operacionit të koduar “ILIRICO-VILLAJUANA” janë arrestuar 22 persona të moshës 34 deri në 55 vjeç, shqiptarë, rumunë dhe spanjollë.

Ata akuzohen për përfshirje në organizatë kriminale, kundër shëndetit publik, pastrim parash, mashtrim dhe trafik ndërkombëtar droge.

Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 6 plantacione me rreth 2600 bimë e llojit marihuana, 150 mijë euro cash dhe bizhuteri të llojeve të ndryshme me vlerën 30 mijë euro.

Nga hetimet u zbulua se këta persona ishin të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës, dhe se funksiononin si një organizatë kriminale, anëtarët e së cilës ishin shqiptarë.

Mësohet se autoritetet spanjolle kanë patur një bashkëpunim intensiv me Stacione Ndërkombëtare të Policisë, posaçërisht DIA-në italiane dhe me DEA-n e Shteteve të Bashkuara, me të cilat nga shkëmbimi i informacioneve është konkluduar me disa të arrestuar, që kishin pasur vendbanimin e mëparshëm në këto vende.

Si rezultat i hetimeve u zbulua se grupi kriminal ishte i mirë organizuar, ku anëtarët kishin detyra të mirëpërcaktuara në “misionin” e tyre.

Mësohet se operacioni është shtrirë në disa zona ku janë gjetur prova të mjaftueshme të cilat inkriminojnë këtë grup të rrezikshëm.

Autoritetet spanjolle ende nuk kanë njoftuar për identitetin e shqiptarëve të arrestuar ndërsa pritet që në orët në vijim të jepen detaje të tjera rreth këtij operacioni./abcnews.al