Operacion anti-droge në Spanjë, kapet shqiptari që ishte “koka” e organizatës kriminale

schedule17:45 - 3 Shkurt, 2020

schedule 17:45 - 3 Shkurt, 2020

Autoritetet spanjolle kanë arrestuar 11 persona për trafik të lëndëve narkotike, konkretisht të drogave të forta.

11 personat u arrestuan pas një operacioni të policisë spanjolle dhe një hetimi disa mujor.

Arrestimet u kryen në 2 qytetet spanjolle në Galicia dhe Madrid, ku gjatë operacionit u ushtruan kontrolle të shumta në banesat e të ndaluarve.

Gjatë kontrollit të banesave u sekuestraun 20 kg heroinë, 40.000 euro, 11 automjete luksoze, armë zjarri, makineri për paketimin e drogës, aparate celularë dhe kompjuterë të shumtë raporton abcnews.al.

Ky operacion erdhi pas hetimeve që nisën në janar të 2019 ku raporti policor shënoi rritje të trafikut të drogës. Autoritetet spanjolle nisi menjëherë një plan veprimi dhe kontrolle të shumta ku fillimisht ranë gjurmët e një çifti që ishin të përfshirë edhe më parë në trafikun e drogës.

 

Pas mbajtjes nën kontroll dhe vënies në përgjim të këtij çifti, agjentët spanjollë zbuluan se vizitoheshin në shtëpinë e tyre  së tepërmi  nga një shqiptar.

Pas disa muaj hetimesh autoritetet spanjolle erdhën në përfundimin se kishin të bënin me një organizatë kriminale që kryesohej nga një shqiptar, i cili ishte personi që gjente kontaktet për të blerë drogën gjithashtu kryente edhe negociatat për lëndën narkotike.

Kjo organizatë kriminale kishte arritur të sofistikohej së tepërmi dhe kishte bërë të mundur fshehjen e drogës në vende gati të pamundura për tu zbuluar nga autoritetet. Për shpërndarjen e drogës ata përdornin kryesisht automjete me targa rumune.

Heroina e sekuestruar në këtë operacion vinte nga Hollanda dhe do të shpërndahej kryesisht në Spanjë, kryesisht në Madrid.

Kjo sasi heroine me vlerë tregu kapte shifrën e 600.000 eurove.

Ndërkohë autoritetet spanjolle nuk kanë bërë të ditur asnjë identitet për arrestimin e 11 personave pasi hetimet ende vazhdojnë dhe sipas të dhënave të fundit priten arrestime të tjera në vazhdim.

Ajo që autoritetet kanë theksuar është se kreu i kësaj organizate është një shqiptar për të cilin nuk ka dhënë më tepër detaje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!