Policia e Shtetit u përfshi në një operacion të përbashkwt anti-drogë mes Shqipërisë dhe Italisë për arrestimin e 27 personave, të dyshuar për trafikimin e 9.3 tonëve kanabis në total. 21 nga të dyshuarit si anëtarë të katër grupeve kriminale, ishin shtetas shqiptarë, nga të cilët gjashtë u arrestuan në Vlorë.
Gjashtë persona të dyshuar si trafikantë drogë të katër grupimeve kriminale dhe të shpallur në kërkim nga drejtësia italiane u arrestuan mëngjesin e së martës në Vlorë. Prangosja e tyre nga Policia e Shtetit ishte finalizimi i një operacioni të përbashkët dhe të njëkohshëm anti-drogë mes Shqipërisë dhe Italisë, të koduar “Lulet e pranverës”. Në tokën fqinje u prangosën 11 persona të tjerë, gjashtë prej të cilëve shqiptarë.
E përbashkët ishte edhe konferenca e shfaqjes së rezultateve, ku prokurorët e Krimeve të Rënda qëndruan në lidhje direkte përmes skype-it, me homologët italiane.
Donika Prela: “Ky operacion është shtrirë në disa Drejtori Vendore të Policisë së vendit, si Durrës, Vlorë, Lezhë, gjatë harkut kohor të mbi dy viteve nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda”
Tek Krimet e Rënda prokurorët e Leçes kanë bashkëpunuar me prokurorët Përparim Kulluri dhe Pranvera Pustina. Për këtë hetim drejtësia italiane nxorri 27 masa sigurimi “arrest në burg” nga të cilët 21 shqiptarë dhe 6 italianë.
Donika Prela: “Nga operacioni i zhvilluar në orët e para të mëngjesit është arritur të ekzekutohen nga policia Urdhërat e Arrestit ndërkombëtarë të 6 shtetasve shqiptarë në territorin e Republikës së Shqipërisë, ndërsa 3 të tjerë, 2 shtetas italian dhe 1 shtetas shqiptar ndodhen në burg në Shqipëri. Në Itali janë arrestuar 10 shtetas nga të cilët 5 shtetas shqiptarë dhe 5 italianë, ndërsa një shtetas shqiptar ndodhet në burg në Malin e Zi dhe janë shpalluar në kërkim 7 shtetas të tjerë”.
Në Shqipëri “Lulet e pranverës” arrestoi të dyshuarit Denis Pashaj, Kristian Llanaj (Nuredinaj), Luka Beqiraj, Bilbil Kabello, Arbnor Xhimaj (Hoxhaj) dhe Kujtim Elmazi. Ndërsa në Itali u prangosën Dorian Alikaj, Altin Avruramani, Ajet Çepaj, Kaludio Fani, Artuar Mani dhe Raul Zenunaj.
Sipas hetimit të skuadrës së përbashkët hetimore mes prokurorive të dy vendeve, rezulton se të arrestuarit janë përgjegjës për të paktën katër episode të trafikimit apo tentativës së trafikimit të më shumë 3 tonëve kanabis. Nërsa dyshimet e prokurorisë flasin për 9.3 tonë. Në itali operacioni është zhvilluar në Calabri, Toscana, Emilia Romagna dhe Siçili. Pala italiane ka dyshime për përfshirjen e të arrestuarve në trafikun e drogës, por edhe të armëve./abcnews.al