ONM, Calavera flet për reformën në drejtësi: Sistemi po tronditet

schedule21:45 - 4 Korrik, 2019

schedule 21:45 - 4 Korrik, 2019

Ndryshe nga deklaratat e Presidentit Meta ditët e fundit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, Drejtuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Cavalera vlerësoi ecurinë e saj. Duke folur nga samiti i Polonisë për Ballkanin Perëndimor, ajo paralajmëroi të gjithë politikanët të kuptojnë vlerën që ka kjo reformë.

 Një mesazh i fortë e i drejtpërdrejtë ka ardhur për Shqipërinë për zbatimin e reformës në drejtësi. Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Cavalera, gjatë fjalës së saj në një konference në Samitin dyditor të Poznanit për Ballkanin Perëndimor, deklaroi se tashmë reforma në drejtësi nuk duhet të diskutohet.

“Unë besoj se po shkon në drejtimin e duhur, ne do të kemi një gjyqësor të pavarur. Shqipëria do të arrijë në një pozicion fantastik, për të kapur kohën e humbur deri tani. Vetëm mund të shpresoj që, në Shqipëri, kur sistemi po tronditet, të gjithë politikanët ta kuptojnë vlerën që ka respektimi dhe mbështetja e kësaj reforme”. 

Shefja e ONM-së theksoi se nevojiten rezultate konkrete të reformës në drejtësi, të cilat janë kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Këtë herë kur ne negociojmë anëtarësimin, ne kërkojmë një historik treguesish. Kjo do të thotë që ne duam të shohim që ligjet të zbatohen, duam të shohim njerëzit në burg, asetet e krimit të sekuestrohen dhe ne duam të kemi mjaftueshëm fakte/prova, jo vetëm ligje, për të demonstruar që sistemi është i konsoliduar”.

Meritën për nisjen e ndryshimeve në vendin tonë, Calavera ia faturoi popullit shqiptar, jo politikanëve, duke theksuar se tashmë ndryshim dramatik ka nisur./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!