Olsi Rama: Goli ynë i rregullt, topi s’e kaloi vijën te rasti i Guindo

schedule12:23 - 23 Shkurt, 2020

schedule12:23 - 23 Shkurt, 2020

Olsi Rama rikthehet të flasë. Këtë sezon ka ndodhur rrallë. Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit është ndalur te gjykimi në ndeshjen e djeshme kundër Bylisit, që të kuqtë e patën në dorë ta fitonin. Gjithsesi në fund takimi u mbyll 2-2 dhe Rama nuk ka asgjë me ballshiotët, madje i përgëzon ata për paraqitjen e bërë në fushën e lojës.

“Jam i zhgënjyer me rezultatin final dhe me lojën e ekipit. Përgëzime Bylisit për garën që bëri, na e bëri të vështirë jetën gjatë 90 minutave. Mbase ekipi mendoi që me avantazhin e dyfishtë do ta kishte të lehtë. Ata nuk u dorëzuan asnjëherë dhe me thënë të drejtën nuk vodhën asgjë. Morën një pikë që merituan”, tha Rama fillimisht.

Më pas ai shton: “Bylisi nuk vodhi asgjë, Partizanit iu vodh fitorja. Sepse iu anulua një gol i rregullt për një prekje të paqenë me dorë. Ishte mbrojtësi i Bylisit që e çoi topin me kokë te Brawn. Rezultati 3-1 do të ishte rrjedhë tjetër loje. Nga pamjet filmike që shikoj unë, më duket e qartë që topi nuk e ka kaluar vijën”.


Rama vë në dukje faktin që sa herë luajnë në “Air Albania Stadium”, ata ndëshkohen me gola fantazmë.  “Të gjitha përpjekjet që Partizani bën që të nderojë një garë, të vijë të luajë në stadiumin më të mirë në Shqipëri, dy herë është dënuar me gola fantazmë. Ky shikohet qartë, nuk e kuptoj si u ngrit flamuri. Topi jo vetëm që nuk kaloi i gjithi, por Belica e ka goditur me pjesën e sipërme të këpucës.

Shumë rrallë mund të qëllojë që të ankohem për arbitrimin. Është paaftësia e gjyqtarëve për të gjykuar. Nuk është dënuar vetëm Partizani, por unë nuk di raste ku jemi favorizuar. Është mëkat që nuk ka ‘goal line technology”. Ne paguajmë shumën që kërkohet, që është e lartë dhe nuk plotësohen kushtet. Duhet zgjidhur kjo pjesë. Edhe ne duhet të jemi të qetë kur luajmë”, shprehet Rama.

“Demave” nuk u ka ecur në stadiumin e ti, pasi i ka mundur më parë Kukësi dhe janë thyer në derbi me Tiranën. Rama, për këtë deklaron: “Unë nuk jam supersticioz. Sportistët janë, por sinqerisht nuk na ka ecur. Trajneri ka thënë që ndeshja jonë është kjo me Bylisin. E vlerësoja më shumë se derbin. Duhet të shkonim në ndeshjen me Tiranën me një diferencë më të vogël. Duhet të kapim objektivin me këtë kualitet që luajmë. Derbi s’është në fushën tonë. Në logjikë, ndeshja duhet të luhet këtu. Shpresojmë që të thyejmë tersin dhe të marrim 3 pikët”. /abcnews.al