OKB thirrje qeverive të botës: Mos harroni ata që janë pas hekurave, pasojat do jenë katastrofike

schedule08:47 - 26 March, 2020

schedule08:47 - 26 March, 2020

Në një kohë kur kriza e shkaktuar nga koronavirusi ka “paralizuar” pothuajse të gjithë botë, Organizata e Kombeve të Bashkuara u ka bërë thirrje qeverive që të mos harrojnë ata që janë pas hekurave.

Komisioneria e Lartë e OKB për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet u shpreh  gjatë një deklarate se nuk duhen lënë pas dore as të burgosurit dhe as personat që punojnë në këto institucione, shkruan abcnews.al

Bachelet u shpreh:

“Qeveritë po përballen me kërkesa të mëdha për burime në këtë krizë dhe duhet të marrin vendime të vështira. Por unë i nxis të mos harrojnë ata që ndodhen pas hekurave, ose personat e mbyllur në vende të tilla si institucione të shëndetit mendor, shtëpi të moshuarish dhe jetimore, sepse pasojat e neglizhimit të tyre janë potencialisht katastrofike.”

Për të shmangur katastrofën e mundshme, Michelle sygjeroi uljen e numrit të të personave në paraburgim dhe të ekzaminojnë mënyrat për të liruar të paraburgosur veçanërisht të cenueshëm, si ata që janë më të vjetër ose të sëmurë.

Gjithashtu, sipas saj, nëse burgjet kufizojnë vizitat për të burgosurit, ata duhet të vendosin masa alternative si video-konferenca ose shtim të telefonatave me anëtarët e familjes.

“Masat anti-pandemike nuk duhet të dëmtojnë të drejtat themelore të personave të në burgje, duke përfshirë të drejtat e tyre për ushqim dhe ujë adekuat, dhe mundësinë e përdorimit të një avokati dhe mjeku”, shtoi ajo.  /abcnews.al/