OKB: “Situata më e rrezikshme në botë mbetet në gadishullin korean”

schedule13:10 - 10 Dhjetor, 2017

schedule 13:10 - 10 Dhjetor, 2017

Nënsekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara tregoi se ka rënë dakord me zyrtarët e Penianit se situata më e rrezikshme në botë mbetet ajo në gadishullin korean. Ai ka bërë thirrje që të mbahen hapur kanalet e komunikimit që të shmanget përshkallëzimi i situatës.

Diplomacia po punon për të ndaluar krizën mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Nënsekretari i përgjithshëm, Xhefri Feltman, është kthyer nga një vizitë katër-ditore nga vendi komunist ku është takuar me funksionarë të ndryshëm mes të cilëve edhe ministrin Ri Jong Ho. Feltman, është i pari përfaqësues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara i një niveli të tillë që viziton Korenë e Veriut që prej 6 vitesh. Gjatë takimeve të tij, është dakordësuar se Peniani do të ketë komunikime të rregullta me Kombet e Bashkuara.

Gjithashtu Feltman bashkë me ministrin e Jashtëm të Penianit, kanë pranuar faktin se situata në gadishullin Korean është aktualisht çështja e sigurisë me e rrezikshme në botë. Përfaqësuesi i OKB-së ka nënvizuar “nevojën urgjente për të parandaluar gabime në llogaritje dhe për të hapur kanale komunikimi për të ulur rrezikun e një konflikti me Korenë e Veriut”.

Por Seuli, pas kthimit të Feltman në Nju Jork, ka njoftuar vendosjen e sanksioneve të reja për herë të dytë brenda një muaji kundër Penianit. Nga këto masa janë prekur 20 entitet koreanoveriore, në veçanti banka dhe kompani tregtare. “Mbi 12 individë koreanoveriore, të cilët merren kryesisht me banka, do të jenë prej të hënës në një listë të zezë”, bën me dije ministria e Jashtme e Koresë së Jugut.
Këto sanksione kundër Penianit vijnë pas lëshimit të një raketë balistike në rajon./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!