OKB: Shqetësime për të drejtat e njeriut në rastin e themeluesit të rrjetit Telegram

schedule20:26 - 3 Shtator, 2024

schedule 20:26 - 3 Shtator, 2024

Arrestimi dhe ngritja e akuzave ndaj themeluesit të rrjetit Telegram, Pavel Durov, është një rast kompleks që ngre shumë shqetësime lidhur me të drejtat e njeriut, thanë Kombet e Bashkuara të martën.

Pavel Durov me origjinë ruse, themelues i aplikacionit popullor, por të debatueshëm, u arrestua më 24 gusht në mënyrë sensacionale në aeroportin ‘Le Bourget’ pranë Parisit. Ndaj tij janë ngritur akuzua për një sërë shkeljesh në lidhje me aplikacionin Telegram. Atij i është ndaluar largimi nga Franca.

Pikëpyetje të shumta janë ngritur në lidhje me kohën dhe rrethanat e ndalimit të zotit Durov. Mbështetësit, e shohin 39-vjeçarin Durov si kampion të lirisë së fjalës, por nga ana tjetër, kritikët e shohin atë si një kërcënim që e lejoi qëllimisht rrjetin Telegram që të dilte jashtë kontrollit.

“Ky është një rast shumë kompleks, që ngre shumë shqetësime lidhur me të drejtat e njeriut”, tha Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Ajo tha gjatë një konference shtypi se agjencia me seli në Gjenevë po shqyrtonte publikimin e një dokumenti që përcakton “parametrat brenda të cilave duhet të shqyrtohen këto situata”.

Ajo përmendi gjithashtu bllokimin e kohëve të fundit të rrjetit X në Brazil. Gjykata e Lartë e Brazilit ratifikoi të hënën vendimin e një prej gjykatësve të saj për të pezulluar platformën e mediave sociale për shkelje të dyshuara juridike.

Pezullimi i rrjetit X nga Brazili “ngre gjithashtu shqetësime të ngjashme për shtetet që kanë për detyrë të sigurojnë që platformat e mediave sociale të veprojnë në bazë të ligjit që lejon lirinë e shprehjes”, por në përputhje me disa kufizime, tha zëdhënësja Shamdasani.

Ajo bëri thirrje që çdo kufizim i vendosur të jetë “proporcional” dhe “në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”.

“Po e ndjekim këtë rast dhe aktualisht është e vështirë që të jemi më specifikë” për rastin dhe akuzat ndaj zotit Durov, sepse Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut nuk ka qasje “tek të dhënat e plota”.

Ajo tha se shtetet duhet të jenë në gjendje të miratojnë ligje pëpr përdorimin e platformave sociale, por rregullat duhet të jenë në përputhje me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

“Parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit, gjuha e urrejtjes, nxitja e urrejtjes apo dhunës, dezinformimi i dëmshëm, duhet të gjejnë zgjidhje”, tha ajo.

Në nëntor të vitit 2022, shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, i shkroi pronarit të rrjetit X duke i kërkuar atij që të vendoste respektin për të drejtat e njeriut në qendër të platformës sociale.

Në një letër të hapur, ai paralajmëroi kundër përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit ndërsa theksoi nevojën për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!